Bashkimi Evropian deklaroi të enjten se nuk do të njohë pasaportat ruse të lëshuara në rajonet e Ukrainës të aneksuara nga Moska. Lëvizja e BE-së do të thotë se dokumentat ruse të udhëtimit që u jepen banorëve të atyre rajoneve nuk mund të përdoren për të marrë viza ose për të hyrë në zonën Shengen.

“Ky vendim është një përgjigje ndaj agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe praktikës së Rusisë për lëshimin e pasaportave ndërkombëtare ruse për banorët e rajoneve të pushtuara”, tha Këshilli Evropian në një deklaratë. Ky vendim duhet të nënshkruhet zyrtarisht nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së. Në shtator, presidenti rus Vladimir Putin pretendoi se mund të marrë katër rajone të Ukrainës në një deklaratë të njëanshme të refuzuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Moska gjithashtu aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014. Të mërkurën, ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, urdhëroi trupat ruse të tërhiqeshin nga qyteti i Khersonit.