Në shkurt të vitit 1997, kur vendi dukej se po shkonte drejt kaosit, për shkak edhe të falimentit të kompanive piramidale, Dashamir Shehi propozoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, një promemorie me 14 pika ku spikasin dy prej tyre: së pari kërkonte që Berisha të mos rikandidonte për president dhe së dyti Aleksandër Meksi të dorëhiqej si kryeministër dhe të krijohej një qeverisje që do të ndikonte në uljen e tensioneve.
Padyshim, promemoria e Shehit u prit me revoltë nga Berisha dhe Meksi por edhe pjesa tjetër e PD-së. Lista me më shumë se 20 deputetë nisi të tkurrej dhe në finale mbetën vetëm gjashtë prej tyre bashkë me Shehin, ndër të cilët, Alfred Serreqi, Tomorr Dosti, Ariana Nati, Bashkim Kopliku. Firmëtarët e promemories u larguan nga PD. Mes protestash masive për falimentin e firmave piramidale, Berisha u rizgjodh president pak ditë më pas më 3 mars 1997 ndërsa Meksi vazhdoi mandatin e tij si kryeministër. Por vendi po shkonte drejt kaosit me shpejtësi. Kjo situatë detyroi rrëzimin e qeverisë Meksi dhe krijimin e qeverisë së stabilitetit me kryeministër Bashkim Finon.
“Ka gabuar Berisha dhe jo ne, koha na dha një farë të drejte në një farë mënyre. Pse” Ne mund ta kishim mbrojtur Shqipërinë nga ’97-ta, mund ta kishim eliminuar ’97-ën absolutisht, me një politikë më të qartë dhe më transparente duke i deleguar pushtet dhe njerëzve që mendonin ndryshe, po të ishte dëgjuar promemoria që kishte dhe aprovimin e ndërkombëtarëve.
Unë gjykoj që do i kishim bërë një nder të madh Shqipërisë dhe në qoftë se kam një pishman të madh në jetë e gjatë politike që kam është pikërisht ajo, që s’qemë të zotë në ’97-ën për të bllokuar këtë fenomen, këtë radikalizim të luftës politike, që shkoi deri tek armët, tek dhuna, e shkatërrimi i institucioneve shtetërore sepse politika vlen gjithmonë në kohë paqeje, në kohë lufte s’ka nevojë për ndonjë politikan se e marrin në dorë policët në rastin tonë apo ushtarakët në rastet e tjera gjeneralët. Ne s’jemi për këtë punë ne jemi për ti dalë para të keqes, ditën që ndodh e keqja s’ka më nevojë për mendtë tona e marrin ato që kanë pushkën në dorë, që kanë dhunën në dorë ose që janë në gjendje me e ndalu dhunën. Kështu që ne gabuam,” u shpreh Shehi për emisionin “Vetting”.