Nga Jakin Marena/
Sali Berisha me sa duket e ka seriozisht protestën e “Rithemelimit” më 6 dhjetor, pikërisht në ditën kur liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të jenë prezentë në samitin e përbashkët në Tiranë. Këtë e shohim çdo ditë, pa tërheqje nga ai. Nuk e njeh marshin “indietro” Berisha.
Eshtë evenimenti më i madh i realizuar ndonjëherë në një vend të rajonit, dhe për fat u zgjodh Tirana për të qënë njëherë ‘kryeqyteti’ i Europës, ku liderët europianë dhe ata të Ballkanit, do të konsolidojnë qëndrimin e unifikuar kundër agresionit rus në Ukrainë.
Megjithëse është një samit i një rëndësie të tillë, askush s’kërkon që të mendojnë të gjithë njëlloj për mënyrën e organizimit, vendin apo “mënynë” e diskutimit dhe të ushqimit, ose të gëzojnë të gjithë pse Tirana u përzgjodh si kryeqyteti ku do të mbahet ky Samit. Aspak. Gjithkush ka të drejtën e tij legjitime ta shprehë opinionin e vet për këtë samit, në mënyra të ndryshme, por asnjëherë në intereferencë me vetë aktivitetin e rëndësishëm ndërkombëtar, që për herë të parë realizohet në Shqipëri dhe që nuk është pak. Madje është supervlerësim për shqiptarët.
Por në fund të herës një gjë të thjeshtë e kanë në dorë të gjithë, të heshtin në këtë ditë. Pasi partitë s’kanë në dorë të thonë ndonjë gjë, me proteste jo e jo. Eshtë një samit në rang kryetarësh shteti që mblidhen për nevojën e një bashkërendimi sa më efikas të të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për të përballuar situatën e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë. Qoftë dhe për shkak të krizës që po reflektohet në të gjithë sektorët e ekonomisë së botës, që nga energjia e deri tek çmimet e larta që po referojnë në të gjitha produktet bazë. Dhe heshtja është pa lekë.
Por siç e nënvizuam, Berisha tashmë e ka konsoliduar qëndrimin dhe ka përzgjedhur pikërisht 6 dhjetorin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, për të protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës. Ndonëse ka në dispozicion të gjithë ditët e tjera të javës që ka falur Zoti.
Po të hyjmë në arsyetimin e Berishës, se përse zgjodhi këtë ditë, rezultantja e të gjitha shkaqeve të këtij akti është se ai ka shumë halle. Dhe mendon se kjo është dita që, ndonëse e di si dreqi se nuk zgjidh asnjë prej halleve që ka, nga shpallja “non grata” nga SHBA e Britania, e konsiderimi “non grata” nga të gjitha vendet e BE dhe NATO-s, e deri te përballja me drejtësinë për zullumet e shumta në këto 30 vite, mund t’i sjellë të paktën halle dhe kundërshtarit të tij politik Edi Rama.
Mendja e shqiptarit, siç e ka përcaktuar dhe postulati i hershëm që “le të mos ndërtohet shtëpia ime, mjafton që komshiu të jetë pa shtëpi”, gjen zbatimin përfekt te vendimi i Berishës për të protestuar më 6 dhjetor. Por nën okelion e re: “Unë i zhytur që i zhytur jam, të zhys sëpaku dhe Ramën, duke ia nxirë faqen para tërë liderëve të Europës, përfshirë presidentin francez Macron që vjen për herë të parë në Shqipëri”.
Pavarësisht se më shumë po ia nxin jetën Shqipërisë, pasi Rama jemi të sigurtë se do ta kalojë me batuta këtë rast, duke e kthyer dhe një një skenë humori me fjalët: “Ja, e shihni kë kam përballë si lider opozite?!”. E bën këtë Rama, madje e bën shumë bukur, më mirë se askush tjetër e artikulon këtë gjë, duke e kthyer në një “aset” për vete dhe partinë që drejton tërë këtë nismë të Berishës për të protestuar para liderëve të BE, pikërisht në ditën kur zhvillohet Samiti për të shtrënguar radhët kundër agresionit rus në Ukrainë. Për të mos thënë se po e “karikon” akoma më shumë Berishën, në mënyrë që ta nxjerrë “cullak” para shqiptarëve e partnerëve.
Berisha protestën e 6 dhjetorit jo pa qëllim nuk e ka precizuar se ku do ta zhvillojë, në staduimin ‘Aair Albania’, në sheshin Nënë Tereza, në bulevard përballë kryeministrisë, apo përpara vendit ku do të takohen liderët e BE me ata të Ballkanit Perëndimor. E ka lënë me qëllim evazive.
Madje deri më tani nuk e dimë nëse do t’i japë leje policia për të zhvilluar këtë protestë, ndërsa priten të merren masa të forta sigurie në të gjithë Tiranën dhe rrugët lidhëse me rrethet, deri në Rinas, për të garantuar mbarëvajtjen e këtij samiti. Vijnë krerët e shteteve të BE, duhet siguri.
Eshtë kohë lufte dhe policia do të ishte në të gjithë të drejtën e saj ligjore që të mos e japë lejen për këtë protestë absurde ose minimumi të caktojë një vend të përshtatshëm që nuk rezonon dhe zhbën masat e marra për garantimin e zhvillimit të qetë dhe normal të samitit. Paçka se Berisha “lut” Zotin që t’i refuzohet leja, apo larg qoftë të ketë përplasje me policinë, e cila do të jetë në gatishmëri të garantimit të sigurisë dhe qetësisë së Samitit. Pra për t’i “mbetur” në dorë policisë.
Ndonëse Berisha thotë se kjo protestë zhvillohet për t’i treguar botës se ka opozitë në këtë vend, për t’i treguar Europës se qeveria e Ramës sillet po si “armike me shqiptarët”, e “thagma” të tjera të kësaj kategorie që vetëm lideri i “Rithemelimit” mund t’i qëmtojë, e vërteta e kësaj proteste të paralajmëruar është se lideri i “Rithemelimit” kërkon që të kompensojë izolimin e thellë që i ka bërë BE, pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania.
Berisha me mendjen e tij kërkon të tregojë se është ai njeriu që aktualisht drejton gjithë opozitën në Shqipëri, është ai me të cilin duhet të bisedohet, dhe të përfillet si opozita në vend. E bën këtë duke shfrytëzuar një moment deciziv, që është dita e samitit BE-Ballkani Perëndimor, me mendimin se do të zërë ‘ngushtë’ Ramën, perëndimorët dhe me detyrim përcaktim ta njohin atë si një interlokutor të vetëm në emër të opozitës shqiptare me partnerët ndërkombëtarë.
Eshtë një veprim i një plaku të rrjedhur por dhe të lig që vë në vështirësi “njerëzit e shtëpisë” në momentin më të rëndësiëshëm për një shqiptar, kur ka në dhomën më të mirë të pritjes miqtë. Dhe miku për shqiptarin, duhet të jetë dhe për Berishën, është gjëja më e rëndësishme. Madje shtëpia është e mikut në këtë rast.
Berisha tenton që këtë ditë, duke shfrytëzuar pikërisht samitin në Tiranë, të kërkojë dhe të marrë çfarë të dojë, vetëm të mos bëjë zë dhe të mos shkaktojë “probleme”, të mos na turpërojë para Europës. Pra Berisha po kërkon paraprakisht një “koncesion” prej Edi Ramës dhe partnerëve, në këmbim të heqjes dorë nga protesta më 6 dhjetor para liderëve të BE. E ka bërë dhe më parë një gjë të tillë, është “film” i parë pas vrasjes më 21 janar 2011, kur për heqjen dorë nga anti-mitingu përballë opozitës së vrarë nga Garda, mori dhe vlerësimin “burrë shteti”.
Berisha ka ‘listë’ të gjatë kërkesash, që nga heqja e izolimit ndërkombëtar, te “lirimi” nga “laku” i drejtësisë e deri tek dhënia e “pjesës së tij” për të gjitha investimet që po bëhen dhe që kanë vlera të larta. Mendon që dhe qeverisja e socialistëve funksionon si qeverisja e tij 8 vjeçare. Kur vidhej në të gjitha hallkat, viheshin gjoba ndaj bizneseve nga familjarët e tij duke marrë dhe “taksën e suksesit”, e deri tek presioni mbi drejtësinë për të shpëtuar nga burgu i sigurtë familjarët e tij, aleatët apo dhe ata të cilër i kanë shërbyer në zullumet e kryera ndër vite.
Marrja në mbrojtje përmes presionit ndaj drejtësisë që nga vrasja e Remzi Hoxhës, “Gërdeci”, Rruga e Kombit, video-përgjimi i Dritan Priftit, “21 janari” e deri tek afera CEZ-DIA e kanë treguar këtë fakt. Fundja Berisha dhe për këto shantazhe është shpallur “non grata” nga SHBA.
Ndonëse janë kërkesa që nuk realizohen nga askush, nga Rama jo e jo, Berisha sërish tenton, që sëpaku të shantazhojë drejtësinë e re që të mos e marrë nën hetim penal. Dhe me sa duket deri më tani ia ka dalë me sukses. Aq më tepër që më 6 dhjetor ka dhe një përballje te drejtësia.
Bëhet fjalë për seancën e gjykatës së Apelit, për shqyrtimin e ankimimit të kreut të PD zyrtare Enkelejd Alibeaj për vulën dhe logon e partisë. Mendohet që pikërisht në këtë ditë do vendoset se kujt i takon vula e logo e PD, Berishës apo Alibeajt, çka përkthehet dhe në vendimin respektiv të dy grupimeve në këtë parti se si do të dilet në zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor. Berisha do të regjistrohet si PD, apo në koalicion me Metën dhe Partinë e Lirisë. Prandaj lideri i “Rithemelimit” bën presion më 6 dhjetor dhe ndaj Apelit, për një vendim në favor të tij.
Për hir të së vërtetës Samiti i liderëve të BE me ata të Ballkanit Përëndimor në Tiranë, s’ka asnjë lidhje me shqyrtimin e këtyre zhvillimeve në Shqipëri, politike themi, por ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me shtrëngimin e radhëve për të përballuar pasojat e agresionit rus në Ukrainë.
Këtë e konfirmoi dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, e cila gjatë një vizite në Shqipëri një javë më parë këmbënguli të evidentojë qëllimet e Samitit mes BE e Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në 6 dhjetor në Tiranë.
“Do të diskutojmë situatën gjeopolitike në Tiranë. Sigurisht në qendër të këtyre diskutimeve do të jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë e sesi mund të mbështesim më tej Ukrainën, sepse jemi shumë të qartë që ne do qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa të duhet”, tha presidentja e Komisionit Europian, pa lënë asnjë dilemë mbi qëllimin e këtij samiti.
Teksa Von Der Leyen rikonfirmoi rëndësinë strategjike që ka Ballkani për BE në kushtet e një konflikti të ri në Europë, i shkaktuar nga Vladimir Putin, i cili sikurse po dëshmojnë burimet e inteligjencës perëndimore, ka shfaqur një interes të veçantë për të influencuar e trazuar rajonin tonë, ajo nënvizoi se samiti mes BE dhe Ballkanit Perëndimor që do zhvillohet në Tiranë, pritet të dalë mes të tjerash me një simbolikë të fortë gjeopolitike, atë të unifikimit, qëndrueshmërisë, rezistencës për vlerat europiane, duke i dhënë edhe njëherë mesazhin Putinit se Ballkani i përket Perëndimit. Këto janë mesazhet që do përcjellë ky samit në Tiranë më 6 dhjetor.
Bazuar në këto fakte dhe mesazhe, gjithkush mund të mendojë se me protestën e tij, Berisha është “zëri” i Putinit në Tiranë, për të kundërshtuar këtë unifikim përballë agresionit rus në Ukrainë. Konkluzioni ky është, ta marrësh nga të duash, nga secili plan, këtu del përfundimi. S’ka si shpjegohet ndryshe protesta përballë një samiti unifikues i BE-Ballkan Perëndimor ndaj agresionit rus, masakrave të Putin në Ukrainë, që kanë ndikuar në të gjithë botën.
Pavarësisht se tashmë është bërë i njohur zyrtarisht fakti se PD ka marrë mbi gjysmë milioni euro nga Kremlini për të destabilizuar Shqipërinë dhe Ballkanin, është konfirmuar dhe fiksuar dhe në raportin e CIA-s amerikane, pavarësisht se gazetat e rajonit shkruajnë se Berisha është pika e kontaktit të Moskës për Ballkanin, dalja kaq hapur në mbrojtje të Rusisë e Putin në situatën më të vështirë në të cilën ndodhen për shkak të kundër-ofensivës së ushtrisë ukrainase, përpos bindjes se po u shërben parave të marra në Moska, na vë dhe në dilema të tjera.
E themi këtë, pasi rezervojmë të drejtën të pyesim, nëse kemi të bëjmë me një “zë” të vazhdueshëm të Putin në Tiranë, që i shërben Kremlinit për shkak se është në listë-pagesën e Moskës për ta përdorur sa herë që t’ia lypë nevoja, Berisha është një plak i rrjedhur dhe i lig që po mundohet të përlyejë të gjithë sikurse është vetë, ose janë të gjitha bashkë.
Nëse është varianti i të gjithave bashkë, atëherë ia vlen të theksojmë se investimi i Putin tek Berisha, si për rastin e protestës së 6 dhjetorit para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë, ashtu dhe për më pas, është një investim i shkuar dëm. Nuk shkakton asnjë destabilizim, asnjë impakt për të hedhur rajonin në “flakë”, pasi akoma më tepër shqiptarët dhe aleatët tanë perëndimorë po e mësojnë se Berisha është një ‘vegël’ që shfrytëzohet pa kriter nga Moska.
Për këtë arsye as që ia vërshëllen njeri në Shqipëri. Madje as aleati i tij më i madh Ilir Meta. I cili po përpiqet me të gjitha mënyrat të shmangë deri dhe përgjigjen për mbështetje të protestës së Berishës, dhe mbi të gjitha për të evituar një përballje të re me partnerët tanë perëndimorë. Pra Berisha në këtë gjendje ku është katandisur nuk i hyn në punë askujt. Thjeshtë është një “gogol” për drejtësinë e re shqiptare, e cila nuk po del dot nga makthi i frikës që ka ndaj tij. Asgjë tjetër!