Nga Ylli Pata/
Deri tani janë vënë re disa qëndrime të përgjithshme në qasjet mbi protesën e 6 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, ditën e samitit të nivelit të lartë të udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Europian me ata të Ballkanit Perëndimor.
Njëri është ai i mazhorancës, ku spikat më shumë kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili ka sulmuar ashpër Sali Berishën, se nxitet nga ndëshkimi që Perëndimi i ka bërë atij dhe familjes së tij.
Një tjetër nga gazetarë që mendojnë se një event i tillë i nivelit të lartë, nuk ka përse të grishet nga çështje që i takojnë politikës lokale. Ndërkaq mbështetësit e grupit politik Berisha-Meta e shikojnë këtë protestë si një akt politik që ka tmerruar mazhorancën dhe pengon atë që ata e quajnë “emërim të opozitës” nga Rama aleatët e tij perëndimorë.
Ka edhe një qasje të grupit të fortë anti-berishist në PD, që shikojnë këtë aksion politik, thjesht si një grimasë pantonimike të doktorit për interesat e tij të ngushta dhe jo për fatin e opozitës politike.
Praktikisht, Sali Berisha, ka zgjedhur këtë mënyrë komunikimi me Perëndimin, pasi ai është i përjashtuar nga çdo takim apo kontakt diplomatik me çdo përfaqësus shteti të NATO-s apo edhe Bashkimit Europian.
Shpallja Non Grata nga qeveria e SHBA-së dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar, e ka kthyer Sali Berishën në politikanin e lartë unik të një vendi të NATO-s, i cili është izoluar nga çdo kontakt apo event që politikanët e kësaj hapësire kryejnë në mënyrë rutinore.
Siç shikojmë edhe deputetë të Partisë Demokratike që marrin pjesë së bashku me kolegët e tyre nga mazhoranca, apo edhe PL-ja, në Asamblenë e NATO-s, Asamblenë e Këshillit të Europës, strukturat e Parlamentit Europian, apo të tjera.
Politikisht, të gjithë deputetët e tjerë të opozitës, si ato që janë me Berishën të rreshtuar, si ata që nuk janë me të, janë në kontakt të vazhdueshëm ndërkombëtar. Natyrisht dikush më shumë e dikush më pak, sipas peshës dhe rolit të tyre politik, apo hapësirës që zë në debatin publik.
Në fjalë të tjera, Berisha e bën këtë për tu përfillur, për të treguar se edhe pse s’e do Amerika apo Britania, vende që nuk janë në Bashkimin Europian, ai po tenton të komunikojë alla majë krahu me këtë organizëm, i cili siç dihet nuk është unik.
Brenda shteteve të BE-së ka edhe qëndrime që nuk përputhen gjithmonë me SHBA-në, që pas Brex-itit janë pa relacione me Londrën, e ku i dihet, mund të dalë ndonjë qark, një zë, një tv, apo portal nga vendet e Europës që ta fusë diku në një hapësirë, faktin se një politikan shqiptar që e konsideron veten të persekutuar nga Uashingtoni e Londra, kërkon ta dëgjojë Europa.
Po ç’farë të dëgjojë Europa? Akuzat apo kundërshtimet që opozita shqiptare ka ndaj Edi Ramës dhe mazhorancës socialiste?
Sipas të gjitha gjasave ato i di, si nga kontaktet, apo edhe nga qëndrimet publike që opozita bën çdo ditë. Ambasadat janë pikërisht për këtë gjë, për të përcjellë në kryeqytetet kryesore të gjitha zërat rilevantë që vijnë nga vendet ku shërbejnë. Plus edhe mediave apo qëndrimeve publike.
Sipas çdo logjike, Berisha nuk do që të dëgjohet, por synon me anë të akteve të tij të bëhet interlekutor. Qoftë edhe duke çuar mesazh që ky interlekutim të jetë provizor, të paktën për një farë kohe. A nuk ka Europa shumë probleme sot me krizën në Ukrainë apo atë ekonomike? Pse atëherë t’i shtohet edhe një pikë të gjithë axhendës, siç mund të jetë sanksionet si SHBA e Britania e Madhe siç thotë Taulant Balla? Ramofili, antiopozitarizëm, janë frazat që mbështetësit e Berishës përdorin në këtë kontekst, kundër zërave që e kritikojnë atë. Po ama, nuk i përgjigjen pyetjes krejt të thjeshtë: çfarë arrin opozita nga një protestë e sikletshme në një eveniment aq të rëndësishëm për Shqipërinë?
Thjesht vetëm ndonjë lajm në mediat e vendeve të BE-së që proteston një politikan i lartë që është dnëshkuar për korrupsion, krim të organizuar, minim demokracie e pengim drejtësie. E si backraund, siç bëjnë mediat normale do të shtojnë se në Ballkan ka shumë politikanë që janë ndëshkuar, e kështu do të përmendin: Dodikun, Sheshelin e me radhë. E ku fiton opozita këtu? Nëse Sali Berisha, i lënduar në sedrën e tij nga SHBA e Britania, le t’i shkruajë letra pafund deri sa t’i besdisë liderëve të BE-së për çështjen e tij. Të bëjë dhe konferenca shtypi në Paris, berlin, Vjenë, Romë etj, që të bindë opinionin e atyre vendeve se ai është realisht një politikan që shqiptarët e duan, por ja kanë me hile të tjerët.
Por çdo lider i BE-së e ka lexuar sipas të gjitha gjasave dosjen e Shqipërisë përpara se të vendoosnin në mënyrë unanime për Samitin e Tiranës. Ku ndodhet natyrisht edhe perceptimi popullor për Sali Berishën. Madje, sipas të gjitha gjasave prandaj e kanë marrë, për të dhënë një sinjal politik ndaj tij por edhe aleatit të ngushtë Ilir Metës. E sipas gjasave, të dy e dijnë mirë, por thjesht duan të japin sinjale se “ata nuk dorëzohen”. Po pra; ata, por jo opozita. Ka shumë gjasa që liderët e BE-së edhe të takojnë apo darkojnëe me opozitën. E këtu nuk ka fare lidhje argument i emërimit të opozitës. Pasi tjetri nëse nuk do të takojë apo hajë darkë me ty, është çështje dëshire e jo imponimi…