Milan bën një hap pas të shëmtuar, ngec në një barazim pa gola kundër Cremonese, atëherë kur nuk duhej, duke sjell festë edhe në Napoli. Gara për titull ndërlikohet ndjeshëm për kuqezinjtë, pas javës së 14-të e shohin veten 8 pikë larg kreut.

Ekipi i Piolit zhvilloi një pjesë të parë të mirë, por portieri Carnesecchi u shndërrua në pengesë të fortë duke pritur çdo top që i shkoi në kuadrat. Sigurisht që mungesa e disa titullarëve si Theo Hernandez dhe Giroud u ndje shumë. Nuk patën efektin që pritje as zëvendësimet në pjesën e dytë, vlen të theksohet goli i shënuar nga Origi, por me ndihmën e sistemit VAR gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.

Në fund, Milan del me një pikë që i rri shumë ngushtë, kundër një ekipi që në 14 javë ka marrë vetëm 7 pikë, asnjë fitore. Në fund të ndeshjes, trajnerit Piolit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm ti bëj komplimentet Napoli, por nuk dorëzohet në garën për titull:

“Nuk arritëm të krijonim më shumë volum loje, më shumë raste. Tetë pikë diferencë me Napolin janë shumë, ky klasifikim nuk duhet të na pëlqejë, por kampionati është ende i gjatë, janë ende shumë pikë në lojë”, theksoi Pioli.