Nga Klevi Hyka/

Kudo e dëgjojmë fjalën diferencim. Në çdo aspekt të jetës ekziston diferencimi. Që nga momenti kur ti jep frymën e parë, ti je “ndryshe” nga të tjerët, ti ke një emër, një mbiemër që të dallon nga të tjerët.

Diferencimi gjendet kudo, në çdo fushë. Jemi “në kontakt” çdo ditë me diferencimin.  Edhe në fiset primitive, grupet dalloheshin sipas gjinisë e moshës, dhe kishin privilegjet dhe përgjegjësitë e tyre. Në fazat pasuese të zhvillimit, shtresimi i grupeve shoqërore u bë ende e më kompleks dhe u bë gjithnjë dhe më i dukshem. Një ndër faktorët më madhor ishte zhvillimi i kapitalizmit, që edhe sot padyshim ndodhet akoma. Diferencimi filloi të shprehet në ndryshimin në të ardhura, standardet e jetesës, në ekzistencën e shtresave të pasura, të varfra dhe të mesme të popullsisë, në ndarjen e shoqërisë në sundimtarë dhe udhëheqës politikë dhe masa të qeverisura. Njerëzit filluan të shpërndaheshin në grupe të ndryshme në shoqëri nga natyra e aktiviteteve, profesioneve të tyre. duke sqaruar konceptin e diferencimit, mund të themi se kjo nënkupton jo vetëm caktimin e ndonjë grupi, por edhe një pabarazi të caktuar midis tyre për sa i përket statusit të tyre shoqëror, fushëveprimit dhe natyrës së ligjit, privilegjeve dhe detyrave që kanë.

Ndonëse e hasim kudo shprehjen se ne jemi të barabartë, pavarësisht gjërave që na bëjnë të ndryshëm, a është në fakt e vërtetë kjo në ditët e sotme? A jemi ne në fakt, të barabartë pavarësisht këtyre diferencimeve që ekzistojnë?

Ne, si nxënës përballemi me diferencime të ndryshme edhe në ambjentet shkollore. Edhe në vendin ku supozohet që çdokush të jetë i barabartë.  E hasim këtë diferencim që në momentin kur klasat janë kryesisht të ndara në nivele. Kjo mësimdhënie e diferencuar nuk është një fenomen i ri. Ajo ka në themel parimin se nxënësit janë të ndryshëm dhe kanë nevoja të ndryshme për të mësuar. Thelbi i kësaj mënyre të mësimdhënies është përshtatja e përmbajtjes mësimore, materialeve dhe metodave me nivelin e nxënësve.

Ky diferencim ka të mirat e veta, duke qënë se buron nga diversiteti i nxënësve të ndryshëm, pasi nuk ka nxënës që përparojnë me të njejtën shpejtësi, apo me të njejtat teknika të studiuari, me sjellje apo me interesa të njejta.

Si çdo gjë që ka një të mirë dhe një të keqe, edhe kjo ndarje ka dhe të këqijat e veta. Kjo mënyrë nuk e lejon nxënësin që të provojë metoda dhe materiale të ndryshme mësimore. Gjithashtu, mund të krijojë një lloj “hendeku” mes nxënësve, duke promovuar faktin që ata janë të ndryshëm dhe mund që të trajtohen në mënyra të ndryshme, duke favorizuar njërën palë dhe tjetrën jo.

Çdokush mund të ketë mendimin e vet mbi këtë çështje dhe nuk do të thotë se mënyra e mësimdhënies së diferencuar nuk është funksionale. Kjo mësimdhënie mund të zhvillohet në një mënyrë që i favorizon të gjitha palët. Gjithashtu, do të ishte mirë që nxënësit të zgjidhnin mënyrat që u duken më efektive në mësimin e tyre.