Vladimir Kara-Murza u burgos pas kritikave të forta ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Nga burgu ai i është drejtuar me një letër BBC. Vetë Vladimiri ishte një kundërshtar i betuar i Presidentit Vladimir Putin dhe një kritik i hapur i mizorive të kryera nga ushtria e tij në Ukrainë.
Megjithatë, aktivisti i opozitës këmbënguli të qëndronte në Rusi.
Tani ai është burgosur dhe akuzohet për tradhti dhe bashkëshortja e tij, Evgenia nuk është lejuar të flasë me të që nga prilli.
Por në një sërë letrash dërguar nga Qendra e Paraburgimit nr.5, Vladimiri, i cili ka qenë dy herë viktimë e një helmimi misterioz thotë se nuk është penduar, sepse “çmimi i heshtjes është i papranueshëm”.
Kundërshtimi i Presidentit Putin ishte i rrezikshëm edhe para pushtimit, por që atëherë shtypja e mospajtimit është intensifikuar.
Pothuajse të gjithë kritikët ose janë arrestuar ose janë larguar nga vendi. Megjithatë, trajtimi i Vladimirit është veçanërisht i ashpër.
Të gjitha akuzat kundër tij janë pasi ka folur kundër luftës dhe kundër Presidentit Putin dhe megjithatë avokati i tij thotë se ai mund të kalojë 24 vjet pas hekurave.
“Ne të gjithë e kuptojmë rrezikun e aktivitetit të opozitës në Rusi. Por unë nuk mund të qëndroja i heshtur përballë asaj që po ndodh, sepse heshtja është një formë bashkëpunimi,” shpjegon Vladimir në një letër nga qelia e tij.
Po ashtu ka thënë se nuk mund të qëndronte as jashtë vendit. “Nuk mendoja se kisha të drejtë të vazhdoja aktivitetin tim politik, të thërrisja të tjerët në veprim, nëse do të isha ulur i sigurt diku tjetër”.