Në nder të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Dua Lipa mori nënshtetesinë shqiptare. Ajo është pritur ditën e djeshme në Presidencë së bashku me familjen e saj.
Dua-s iu dorëzua nënshtetësia shqiptare nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. E këtij momenti i kanë bërë jehonë mediat më prestigjoze botërore.
Që nga “BBC”, “The Guardian”, “Skynews” kanë shkruar për këtë moment të artistes shqiptare të njohur ndërkombëtarisht.
“Jam shumë e emocionuar nga mikpritja, dashuria, mbështetja. Mezi pres koncertin e nesërme“, tha Dua pas marrjes së nënshtetësisë.
Ndërsa presidenti Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij vlerësoi thjeshtësinë e yllit të popit.
“Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Begaj.
Kujtojmë që Dua Lipa do të mbajë një koncert falas për të gjithë fansat e saj.
Shqiptarja me famë botërore, e cila do të përmbyllë turneun e saj “Future Nostalgia” në tokën shqiptare, ka bërë me dije se koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbej” sot ditën e Flamurit.