Trashëgimtarja e njohur Paris Hilton u shndërrua sërish në një ‘nuse përrallore’ për të promovuar në Instagram parfumin e saj të 29-të të quajtur “Love Rush”. 41-vjeçarja shkëlqeu me një fustan të bardhë vezullues e ulur në një shilarëse. E frymëzuar nga romanca e saj me bashkëshortin e ri Carter Reum, Hilton formuloi aromën e luleve për ditën luksoze të dasmës së çiftit. Hilton tha për “People” se ajo u takua personalisht me një koleksionues parfumesh për të diskutuar ‘frymëzimin’ e saj dhe për të krijuar parfumin e saj më të fundit ‘blockbuster’. Biznesmenia shpjegon:
“Doja të ishte vërtet diçka praktike, pasi do të ishte një aromë që do të më shoqëronte në ditën time të veçantë”. Hilton, linja e parfumeve të së cilës thuhet se ka fituar gati 3 miliardë dollarë që nga viti 2004, rikrijoi përsosmërinë e ‘ditës së saj të veçantë’ për lançimin e “Love Rush”. Në rolin e ‘të sapomartuarës’ ajo kishte veshur një fustan spektakolar me shpatulla jashtë teksa shfaqte një dekolte dhe siluetë të ngjashme me atë të fustanit të “Hirushes”. Modelja kishte vendosur ta kombinonte veshjen me varëse dhe vathë diamanti. Bukuroshja shkroi: “Që kur isha vajzë e vogël, unë kam ëndërruar për ditën time të dasmës. “Love Rush” është aroma që kam vënë në ditën time të veçantë dhe jam shumë e emocionuar ta ndaj me të gjithë ju. Doja vetëm diçka që të ishte shumë romantike dhe të më kujtonte dashurinë”.
Hilton e përshkroi “Love Rush” si ‘një homazh për më të dashurit e saj’ dhe shkroi se shpreson që 20.8 milionë ndjekësit e saj në Instagram ta pëlqejnë po aq sa ajo. E disponueshme për blerje, “Love Rush”-it së shpejti do t’i bashkohet aroma e 30-të e “Hilton”-it, e cila do të emërohet me ‘fjalën e saj të preferuar’.