Bashkia e Elbasanit vijon punën për mbjelljen e pemëve në gjithë territorin e qytetit. Sektori i gjelbërimit është në krye të punëve me qëllim zëvendësimin e pemëve dhe mbjelljen e pemëve të reja në hapësirat e gjelbra të qytetit.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja i bën thirrje qytetarëve, të rinjve të Elbasanit të bashkohen në këtë mision që i jep jetë qytetit.
“Të mbjellësh një pemë shton një jetë në qytetin tonë, ndaj të gjithë së bashku të aktivizohemi dhe të ruajmë traditën, atë të qytetit të luleve”, tha Llatja.
Duke e pasur prioritet të veçantë gjelbërimin, si dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet, kryebashkiaku i Elbasanit ka mbështetur edhe gjimnazet, të cilët kanë kryer në mënyrë vullnetare shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, por edhe në zonën industriale.
“Tashmë Elbasani po ecën me një fazë tjetër, ne jemi tek misioni i BE tek 100 qytetet klimatike ndaj duhet ti përshtatemi kohës. Sot ka ardhur momenti që t’i kushtojmë vëmendje maksimale tokës dhe ambienteve të gjelbra. Në bashkinë e Elbasanit po nisim një aksion të madh po i rikthehemi projektit “Muri i Gjelbër”, duke shtuar sipërfaqe të gjelbra edhe në zonën industriale aty ku janë edhe problematikat më të mëdha mjedisore, por edhe në çdo sipërfaqe të Elbasanit”, tha Llatja.