Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka nisur hetimet ndaj Senegalit, që dyshohet se ka shkelur rregullat. Të martën, Senegali shënoi fitore 2:1 kundër Ekuadorit dhe siguroi kalimin për në 1/8 e finales nga pozita e dytë e Grupit A. Senegalezët në fazën e ardhshme do të përballen me Anglinë, që tutje kaloi nga pozita e parë e Grupit B.
Por, Senegali është duke u përballur me një hetim në prag të kësaj ndeshjeje, që do të zhvillohet më 4 dhjetor. Para ndeshjes me Ekuadorin, në konferencën për shtyp para ndeshjes u paraqit vetëm përzgjedhësi i Senegalit, Aliou Cisse, por jo edhe ndonjë futbollist, ashtu siç kërkohet nga FIFA.
Ngjashëm kishte vepruar edhe Gjermania para ndeshjes me Spanjën, kur në konferencë ishte paraqitur vetëm Hansi Flick. Ndaj Federatës së Gjermanisë u shqiptua dënimi me gjobë prej 10 mijë eurosh. Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se cili do të jetë vendimi nga FIFA për rastin e Senegalit.