Me një karrierë të jashtëzakonshme, Elis Bakaj ka vendosur të “varë këpucët në gozhdë” në moshën 35-vjeçare. Ish-sulmuesi kryeqytetas e ka dhënë këtë lajm vetë me anë të një postimi në profilin e tij të rrjetit social “Instagram” teksa ka cilësuar futbollin që i ka dhënë gjithçka në jetë:

“Futbolli më dha gjithçka në jetë. Si një moment që do të vinte me shumë kujtime të bukura që do të përfundonin por edhe me shumë sakrifica.

Falënderoj Zotin që më bëri të punoj në profesionin që dashuroja më shumë. Falënderoj familjen time, prindërit, bashkëshorten, motrën të cilët kanë qenë me mua në çdo moment të bukur dhe të vështirë.

Pa ta nuk do të ia dilja. Falënderoj të gjithë trajnerët që më mbështetën që nga hapat e parë të karrierës deri në fund të saj. Futbolli ishte dhe do të mbetet jeta ime ku nuk mund të jetoj dot pa të.

Sigurisht për të luajtur nuk do të luaj më, por sërish do të jem pjesë e këtij sporti të mrekullueshëm në pozicione të tjera.”, përfundoi Elis Bakaj, i cili ka pasur një CV të pasur në karrierën futbollistike, teksa ka mbajtur veshur fanellat e Partizanit, Dinamos, Çornomoretsit, Kukësit, Skënderbeut, Tiranës, Hapoel Rananas, Vllaznisë, RNK Splitit, Shaktar Soligorsk, Dinamo Brestit dhe Rukhit, ekip ku i dha fund futbollit.