Barcelona e Leo Messit dhe Pep Guardiolës, cilësohet nga të gjithë si një nga skuadrat më të mira të historisë së futbollit. Në atë ekip të mrekullueshëm luanin edhe emra të paharrueshëm si Iniesta apo Xavi, teksa stili i futbollit dhe dominimi ndaj kundërshtarëve krijuan një revolucion të madh në lojën më të bukur me top.
Ylli argjentinas, i cili verën e kaluar u largua nga Barcelona pas një jete në “Camp Nou” për të vijuar karrierën te PSG, është rikthyer të flasë në lidhje me ish-trajnerin e tij. “Guardiola e dëmtoi futbollin, sepse të tjerëve u dukej shumë e thjeshtë ajo që bënim ne.
Kështu që të gjithë u përpoqën të kopjojnë stilin e tij. Pas shumë vitesh takova njerëz që tentonin të bëheshin si Guardiola, aty e kuptova rëndësinë e asaj që kishim bërë ne. Ai ka diçka të veçantë, që nga përgatitja e ndeshjeve, leximi i lojës dhe analiza e kundërshtarëve”, deklaroi shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”.