Silvana Hamzai, nëna e Renato Hamzait (Reni i Elbasanit) i zhdukur që në 2014 ka thënë se gjithmonë e kanë ditur që trupi i gjetur një vit më parë në një fshat të Librazhdit ishte djali i saj.
Me lot në sy ajo kërkoi zbardhjen e krimit për të cilin ajo fajëson policinë, prokurorinë dhe mjekësinë ligjore, që sipas saj kanë dorë në fshehjen e ngjarjes. “E kemi ditur gjithmonë që ai ishte trupi i Renatos, por na e kanë mbajtur të fshehte policia dhe prokuroria!”, tha Silvana Hamzai. Ka dyshime se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarjeje kriminale që ky grup kishte kryer. Prej qershorit 2014, familja e këngëtarit të muzikës tallava Renato Hamza, nuk ka asnjë informacion për fatin e 21-vjeçarit në atë kohë nga Elbasani.