Sot në orën 11:00 Argjentina nis rrugëtimin e saj në Botëror përballë Arabisë Saudite, një rrugëtim të cilin amerikano-jugorët do të synojnë t’i shkojnë deri në fund dhe të kthehen në shtëpi me medaljet e arta rreth qafës.

MESI

Por ashtu si në dy dekadat e fundit, edhe sot nëse themi Argjentinë në futboll është njësoj si të kemi thënë Lionel Mesi, padyshim simboli i kësaj kombëtareje.

E për ta bërë sa më special debutimin në Botërorin e tij të fundit, “Pleshti” si rrallë ndonjëherë ka shoqëruar trajnerin Skaloni në konferencën për shtyp para ndeshjes.

Pasi më parë kishte qarkulluar një foto e tij me kyçin e fashuar, numri 10 u sigurua të qetësonte të gjithë tifozët, duke treguar edhe objektivat e tij dhe të skuadrës, duke bërë një paralelizëm me grupin e 2014-ës që mbërriti deri në finale.
GJENDJA – “Ndihem shumë mirë fizikisht, jam në një moment shumë të mirë si në planin personal ashtu edhe në atë fizik. Nuk kam asnjë problem, mora një goditje ndaj u stërvita i diferencuar, nuk kishte asgjë serioze.

Mbërrijmë shumë mirë, jemi të përgatitur dhe ky kompeticion përcjell gjithmonë emocione të veçanta. E dimë që është ndryshe nga edicionet e tjera ku kemi një muaj kohë për t’u përgatitur, por gjithsesi e dinim këtë dhe jemi gati.

Nuk kam bërë asnjë përgatitje speciale, kemi qenë në vazhdimësi të sezonit dhe ndihem komod në këtë nisje, thjesht jam kujdesur dhe kam punuar siç kam bërë gjithë karrierën time”.

GRUPI – “Shpresoj që të arrijmë të luajmë siç kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe, duke u rritur ndeshje pas ndeshjeje.

Grupi ndihet mirë dhe kjo reflektohet në terrenin e lojës.

Nesër (sot) presim një ndeshje të vështirë sepse është debutimi dhe për shumë është Botërori i tyre i parë, por kam besim që pasi të kalojnë pesë minutat e para të ankthit të gjithë do të kthehen të bëjnë lojën që janë mësuar duke kërkuar të marrin frerët që në fillim.

Nuk e di nëse mbërrijmë në këtë Botëror më mirë se herët e tjera, por mbërrijmë nga një triumf dhe kjo është diçka që vlen shumë. Na bën të punojmë në mënyrë të ndryshme.

Ky grup më kujton atë të 2014-ës, jemi po aq të bashkuar dhe e dimë çfarë duam”.

SYNIMI – “Kombëtarja është një pjesë shumë e rëndësishme imja dhe është diçka shumë e bukur që kaq shumë njerëz na përkrahin, edhe pse nuk janë argjentinas.

Jam shumë mirënjohës për të gjithë dashurinë që kam marrë gjatë karrierës sime, më bën shumë të lumtur dashuria e tifozëve.

Ky është Botërori im i fundit, mundësia ime e fundit për të realizuar ëndrrën e madhe që kam, por mbi të gjitha dua ta shijoj. Më parë mendoja vetëm për të fituar, tani dua edhe të kënaqem”.