Pavarësisht eliminimit nga Champions League, Juventus po përjeton një moment të mirë në kampionatin italian ndërsa një nga lajmet më pozitive për bardhezinjtë dhe trajnerin Massimiliano Allegri ishte rikthimi i Federico Chiesas. Sulmuesi i talentuar qëndronte jashtë fushave prej nëntë janarit, por u rikthye në fushë në fillimin e muajit nëntor, në ndeshjen e Champions League ndaj PSG.
Më pas, 25-vjeçari zbriti në fushë edhe në ndeshjen kundër Inter dhe teksa pritej që në sfidën ndaj Veronës në transfertë të merrte edhe më shumë minuta, vjen një tjetër ndalesë për ish-lojtarin e Fiorentinës.
Chiesa ka ndjerë shqetësime fizike dhe në këtë formë trajneri Massimiliano Allegri vendosi që të mos e grumbullojë për ndeshjen ndaj Veronës në mënyrë që të mos rrezikojë një dëmtim serioz. Ndërkohë, së bashku me Chiesa-n në listën e mungesave të Juventus për transfertën e Bentegodit janë edhe Dusan Vlahovic, e Weston Meckenie.