Në platformën e-Albania nga data 1 maj deri më 31 tetor qytetarët kanë kryer 4 284 325 aplikime për shërbime.
Shifra u bë publike në rrjetet sociale nga platforma e-Albania, e cila thekson se me kryerjen e pagesave elektronike online qytetarët marrin shërbim pa vonesa, pa radhë, në kohë reale dhe procedura plotësisht transparente.
“Dokumentet me vulë elektronike përbëjnë 46% të shërbimeve publike në plaftormën e-Albania. Gjatë periudhës maj-tetor, janë mbi 4 milionë aplikime për shërbime. Numërohen rreth 5 milionë dokumente të gjeneruara me vulë elektronike”, informoi AKSHI.
Portali unik qeveritar shumëfunksional “e-Albania.al” administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.
Portali qeveritar “e-Albania” është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike.
Platforma “e-Albania” ofron 1225 shërbime elektronike për qytetarët shqiptarë.