Lionel Messi raportohet se ka injoruar thirrjet nga Barcelona, derisa spekulimet po rriten për të ardhmen e tij.
Argjentinasi mund të largohet nga Paris Saint-Germaini si lojtar i lirë pas përfundimit të sezonit pasi kontrata e tij skadon, teksa nuk është e qartë ende nëse do të shfrytëzohet opsioni për rinovim edhe për një sezon. Messi fillimisht luftoi për t’u përshtatur në sezonin e parë, teksa këtë sezon ai po kalon nëpër një formë të shkëlqyer – deri më tani ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 13 asistime në 17 ndeshje.
35-vjeçari nuk pritet të marrë ndonjë vendim për të ardhmen e tij deri pas Kupës së Botës, por një rikthim në Barcelonë është diskutuar shumë kohëve të fundit.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur shpesh për dëshirën e tij për të rikthyer Messin në “Camp Nou”, ndërsa drejtori i klubit, Mateu Alemany, ka pohuar se Barcelona do të kishte mundësi financiare për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, “Sport” pretendon se shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” i ka shpërfillur të gjitha përpjekjet e Laportas për të kontaktuar me të dhe nuk ka interes për të ndrequr marrëdhëniet e tij të prishura me klubin.
Tutje, sipas mediumit spanjoll, përpjekjet e Laportas të thërrasë Messin përmes ndërmjetësve ka qenë të pa suksesshme. Gjithashtu është përpjekur edhe ta takojë atë në ndarjen e fundit të çmimit të “Topit të Artë”, por sërish pa sukses. Messi thuhet se ndjehet i tradhtuar nga Laporta dhe drejtues të tjerë të Barçës pas largimit të tij në vitin 2021.
Për njërin prej futbollistëve më të mirë në histori së fundmi u raportua se interesim ka shprehur klubi i David Beckhamit, Inter Miami.