Kombëtarja shqiptare e futbollit luan në mesjavë ndeshjen e parë miqësore për muajin nëntor, atë ndaj Katarit, ku vëmendja do të jetë përsëri te futbollistët e kampionatit shqiptar.
FSHF-ja ka bërë të ditur edhe programin e ekipit që do të ndjekë shembullin e atij të grumbulluar për miqësoren e pak ditëve më parë ndaj Arabisë Saudite.
Kështu, lista do të bëhet publike ditën e sotme dhe sipas FSHF-së do të ketë në përbërje kryesisht futbollistë nga Kategoria Superiore.
Grumbullimi do të nisë zyrtarisht nesër me vetë trajnerin Reja, i cili do të shfaqet para mediave për të argumentuar zgjedhjet e tij dhe planin që ka me futbollistët e përzgjedhur për këtë sfidë, që i shërben më shumë si test vendit organizator të Botërorit.
Ekipi do të stërvitet në Durrës për tri ditë, për të udhëtuar më pas të martën drejt Spanjës, ku do të luajë të mërkurën në orën 18:30 në stadiumin e Marbeja.
LISTA – Në ndryshim nga ndeshja me Arabinë Saudite, “Panorama Sport” mëson se tre lojtarë nuk janë lejuar nga klubet e tyre për këtë takim.
Bëhet fjalë për Sokol Cikalleshin, i cili luan te AlKhalej në Arabi, Arbnor Muçollin, që po kalon një formë shumë të mirë në Danimarkë me ekipin e tij Vejle, si dhe Elhan Kastratin që mund të themi se është një nga portierët e momentit në Serinë B, ku ka dalluar me Çitadelën dhe gjithashtu luajti titullar në miqësoren e Shqipërisë me Arabinë.
Të vetmit futbollistë që do të vijnë nga jashtë janë Bekim Balaj dhe Odise Roshi, ndërkohë pjesa tjetër do të jetë nga kampionati vendës.
Herën e fundit në listën e Edi Rejës ishin plot 14 lojtarë nga Superiorja dhe ndaj arabëve luajtën të gjithë, ndërkohë që me Katarin Sherif Kallaku do të jetë po ashtu një mungesë për shkak dëmtimi, ndërkohë pritet të thirren lojtarët që ishin në listën e pritjes me Arabinë.