Shqipëria u mposht me rezultatin 1-3 ndaj Italisë në ndeshjen miqësore e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “AIR Albania”. Golin e parë dhe të vetëm të sfidës për kuqezinjtë, e shënoi Ardian Ismajli, i cili në mikrofonat e “FSHF” ka treguar emocionin e realizimit të këtij goli:
“Ky ishte goli im i dytë me fanellën e Kombëtares shqiptare. Kam shënuar edhe ndaj Kazakistanit këtu në stadiumin ‘AIR Albania’.
Jam jashtëzakonisht i lumtur për golin, por jo për rezultatin.
Kemi bërë një ndeshje të mirë, ku pas dy golave të pësuar në pjesën e parë, në të dytën kemi pasur shumë mundësi me barazuar rezultatin, por ky takim do të na shërbejë për të ardhmen.
Kemi luajtur më mirë se herët e kaluara dhe falënderoj dhe tifozët sepse kanë qenë me ne.
Mesazhi për tifozët është i qartë, të vinë të na përkrahin, ne do të japim maksimumin dhe së bashku do t’ia dalim”, përfundoi Ardian Ismajli.