Kombëtarja e Brazilit nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Neymarit dhe Danilos për dy ndeshjet e radhës në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Të dy futbollistë pësuan lëndime në ndeshjen e të enjtes mbrëma kundër Serbisë, të cilën brazilianët e fituan me rezultatin 2:0.
Mediumi brazilian “Globo” ka raportuar këtë të premte se Neymari dhe Danilo do të mungojnë në pjesën tjetër të fazës së grupeve për shkak të lëndimeve. Kësisoj, sulmuesi i Paris Saint-Germainit dhe mbrojtësi i Juventusit do të mund të ndihmojnë vendin e tyre në ndeshjet pas fazës së grupeve, gjithmonë nëse “Seleçao” kualifikohet tutje.
Brazili më 28 nëntor do të përballet me Zvicrën, kurse më 2 dhjetor e luan ndeshjen e tretë dhe të fundit në Grupin G, kundër Kamerunit.