Xhiro e parë e fazës së grupeve në këtë Botëror të çmendur mbyllet me dy super sfida: Portugali-Gane dhe Brazil-Serbi. Në fushë zbresin dy favoritë të tjerë, në Katar është radha e yjeve si Ronaldo, Leao, Vlahovic, Neymar, Antony e shumë të tjerë. Ky duket skenari perfekt për të kompletuar një tur të parë fantastik, emrat nuk zhgënjejnë, premtojnë spektakël edhe këtë të enjte.

Pas disfatës që përjetoi miku dhe rivali i tij Leo Messi, të gjithë projektorët janë kthyer nga Ronaldo, çfarë do të bëj ylli portugez? A është në formë? Këto janë pyetje që do të marrin përgjigje duke nisur nga ora 17:00. Jo vetëm Ronaldo, Portugalia ka një super skuadër, të paktën në emra, një ekip i përberë me lojtarë si Leao, Bruno Fernandes, Bernardo Silva, Cancelo e shumë të tjerë.

Kur flasim për yje, të shumë janë edhe në radhët e Brazilit, 5 herë kampionët e Botës janë në kërkim të së artës, i vetmi objektiv që përmbush egon e një kombi të dashuruar pas futbollit. Neymar është ylli më i shndritshëm, por Titte nuk ka vetëm Neymar, nga porta në sulm, Brazili i ka të gjithë kartat për të fituar këtë Botëror, mbi të gjitha kanë traditën, 5 yje në gjoks. Pavarësisht këtyre detajeve, Serbia nuk është një peshë e lehtë, ballkanasit kanë një super skuadër, lojtarë si Vlahovic, Milinkovic-Savic, Kostic e shumë të tjerë.