Ëndrra e plot 350,000 njerëzve që u vunë në kërkim të thesarit prej 1 milion dollarë për 10 vite me radhë ka përfunduar. Mijëra vetë janë ngjitur në Malet Shkëmborë në Shtetet e Bashkuara përgjatë dekadës së fundit, në kërkim të një sënduku me ar, rubinë, smeralde dhe diamante. Por pas vitesh përpjekjesh, thesari i shumëkërkuar është gjetur.
Një arkë me ar dhe bizhuteri me vlerë 1 milion dollarë është gjetur pas 10 vitesh, nga një eksplorues që preferoi të mbetej anonim. Koleksionuesi i artit, 89-vjeçari Forrest Fenn që krijoi gjuetinë e këtij thesari 10 vite më parë, njoftoi se thesari është gjetur nga një person që nuk ka preferuar të identifikohet. 89-vjeçari që fshehu thesarin përfshiu të dhëna për vendndodhjen e tij në një poezi të vitit 2010 “The Thrill of Chase”.
Sipas tij, fshehja e thesarit ishte një mënyrë për t’i nxitur njerëzit të eksplorojnë natyrën. 350,000 njerëz nga e gjithë bota u vunë në kërkim të tij. Shumë u larguan nga puna dhe shfrytëzuan kursimet e tyre dhe të paktën katër prej tyre kanë vdekur në përpjekje për të gjetur thesarin e fshehur.