“Los Blancos” po studiojnë me vëmendje tregun anglez, pasi madrilenët po projektojnë një verë shumë të nxehtë, me misionin për të përmirësuar dhe përforcuar skuadrën. Kampionët e Europës janë vendosur në gjurmët e brazilianit Gabriel Jesus.

Karim Benzema është sulmuesi kryesor i Acelotti-t, pa harruar edhe Vinicius Jr. apo Rodrygo, por trajneri italian kërkon një “frymë” të re dhe tashmë, sulmi madrilenë, me shumë mundësi do të “pushtohet” nga brazilianët. 25-vjeçari është pjesë e Arsenal dhe pikërisht, pak muaj më parë u transferua në Londër nga Manchester City, ekip për të cilin luajti afro 6 sezone.

Aventura e re, me Arsenal po shkon mirë, pasi Gabriel Jesus deri më tani numëron në total 16 ndeshje dhe 5 gola, të gjithë në Premier League, ndërsa skuadra e Mikel Arteta-s kryeson në “ishull”.

Natyrisht, kontrata e brazilianit është diçka që penalizon spanjollët, pasi braziliani në verë ka firmosur deri në vitin 2027 dhe londinezët vështirë se mund të provojnë të privohen nga shërbimet e tij. Gjithsesi, Real Madrid ka në fokus përforcimin e skuadrës dhe madrilenët priten të jenë një prej skuadrave më aktive në merkaton e verës së ardhshme.