Të veshur kuqezi, me flamuj dhe pankarta në duar, qindra emigrant shqiptarë u mblodhën këtë të shtunë në Londër për t’i treguar qeverisë britanike se nuk janë kriminelë. Me këngë shqipe në sfond, ata kërkojnë dorëheqjen e sekretares së brendshme Suella Braverman. Teksa protestojnë në urën ‘Ëestminster’, kanë afishuar edhe pankartën që shkruan: “Shqiptarët s’janë kriminelë.” Një prej kërkesave të tyre është edhe kërkim falje nga Braverman, deklaratat e së cilës kanë ndikuar te fëmijët pasi i thonë se kanë prindër kriminelë ose vijnë nga familje mafiesh.
Përveç atyre që jetojnë në Britani, në mbështetje kanë mbërritur edhe shqiptarë të tjerë nga Zvicra që i bashkohen kërkesave të tyre për deklaratat e sekretares britanike. Në rast se nuk ka reagim për protestën e tyre, paralajmërojnë protestë tjetër më 28 nëntor, Dita e Flamurit. Dy prej shqiptarëve të pranishëm në protestë folën nga Londra për Report Tv duke thënë se ka konflikte edhe në vendet e punës ndërsa shton se ndihen të sulmuar nga të gjitha anët.
“Akuzat ka pasur ndikim te fëmijët. Ka raportime për acarime dhe konflikte nëpër vende të punës. Kur je i sulmuar në çdo anët, një pyetje e lehtë mund të duket provokim. Kërkesat janë të shumta, shumë ka që të kërkohet dorëheqja e ministres, të kërkohet falje nga kryeministrja. Shumica e shqiptarëve punojnë në ndërtim”, tha emigranti Taulant.
“Dihet si ka shkuar situata këto 2 javët e fundit në Britani që janë kundër emigrantëve dhe po bëjnë ekzagjerim të tmerrshëm kundër shqiptarëve. Kemi një atmosferë shumë të mirë. Ende s’kemi filluar të flasim por jemi me parulla anglisht dhe shqip duke i treguar se kush jemi ne, duke nisur nga punëtori i thjeshtë te biznesmenët, profesorët. Kushdo që e ka ndjerë veten të fyer ka ardhur sot. Nuk mund të thonë e kanë pushtuar shqiptarë. Dështimi i emigracionit e ka sjellë këtë”, tha emigranti tjetër, Enkelejd.
Kjo vjen në një kohë kur diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë të nxehta. Braverman, e cila nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj atyre që hyjnë në mënyrë ilegale, është zotuar se do të gjejë një mënyrë që të funksiojë skema e Ruandës. Si kundërpërgjigje, shqiptarët zgjodhën të mblidheshin këtë të shtunë për t’i treguar sekretares britanike që ata janë bashkë, por nuk janë kriminelë.
Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale. Ndaj kësaj deklarate është përgjigjur edhe kryeministri, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.