Gazetari Roland Qafoku ka debatuar me deputetin demokrat, Luan Baçi në lidhje me situatën në Partinë Demokratike.
Në Euronews Albania, Qafoku tha se nuk ka një provë që fakton se deputeti Enkelejd Alibeaj bashkëpunon me Edi Ramën.
“Ka disa probleme tani. Kjo gjë me të vërtetë ishte parashikuar, por zoti Baçi nuk dha asnjë provë të fortë të bashkëpunimit të Enkelejd Alibeajt me qeverinë. Unë e kuptoj që qeverisë i intereson që të funksionojë Enkelejd Alibeaj dhe jo Berisha. Por ne nuk kemi prova që Enkelejd Alibeaj bashkëpunon me Edi Ramën”, u shpreh ai.
Sipas Baçit, prova më e fortë është votimi i ligjeve të Ramës në parlament, nga Alibeaj dhe deputetë të tjerë që e mbështesin.
“Nuk ka provë më të fortë se votimi në parlament, nuk ka provë më të fortë se të votosh në parlament atë që të thotë Edi Rama. Provë më të fortë se votimi në parlamet i të gjitha ligjeve që çon Rama dhe që duen mbi 84 vota, e plotëson Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi. Absolutisht, duke marrë edhe disa deputetë të tjerë”, theksoi ai.
Seanca në Gjykatën e Apelit ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Enkelejd Alibeajt për bashkimin e vendimeve të Kuvendeve të PD të 17 korrikut dhe 18 dhjetorit, është shtyrë.
Pas kërkesës së avokatit të Alibeajt, Indrit Sefa për shtyrjen e seancës, Gjykata e Apelit vendosi që ta shqyrtojë çështjen më 10 nëntor.