Sonda e re e NASA-s Artemis, nisi fluturimin debutues për në Hënë, të mërkurën herët, me tre manekinë në bord, duke i sjellë Shtetet e Bashkuara një hap më afër rikthimit të astronautëve në sipërfaqen hënore për herë të parë që nga përfundimi i programit Apollo, 50 vjet më parë.
Sonda e gjeneratës së ardhshme të NASA-s u nis herët në mëngjes për një udhëtim pa ekuipazh rreth hënës, gjysmë shekulli pas misionit të fundit hënor Apollo.
“Këtë mëngjes, në orën 1:47 sipas kohës lokale, raketa e Sistemit të Nisjes Hapësinore të NASA-s dhe anija kozmike Orion u ngritën nga platforma historike e nisjes 39B nga Qendra e Fluturimeve Kenedi”, tha sekretarja e Shtypit të NASA-s, Jackie McGuinness.
Fluturimi i misionit Artemis, synon kthimin e astronautëve në Hënë këtë dekadë dhe krijimin e një baze të qëndrueshme atje si një gur themeli për eksplorimin e ardhshëm njerëzor të Marsit.
Sistemi i lëshimit në hapësirë (SLS) është raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga NASA.
Administratori i NASA-s Bill Nelson e pa nisjen me një grup astronautësh.
“Është një fluturim provë. U desh shumë kohë për të mbërritur këtu. Herën e fundit që ishim në hënë, ishte me Apollo 17 dhe ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë”.
Pas vitesh vonesash dhe miliarda dollarësh shpenzime, raketa e Sistemit të Nisjes Hapësinore gjëmoi drejt qiellit, duke u ngritur nga Qendra Hapësinore Kennedy me një force shtytëse prej 4 milionë kilogramësh duke arritur shpejtësinë 160 km/h brenda pak sekondave.
Kapsula Orion doli nga orbita e Tokës pas dy orësh për të vazhduar fluturimin drejt Hënës.
Nisja u anulua dhe shty katër herë këtë vit – dy herë për shkak të problemeve teknike dhe dy herë të tjera për shkak të motit.
Menaxheri i Misionit Artemis, Mike Sarafin tha se raketa kryesisht po funksionon ashtu siç duhet.
Ai tha se kishte disa çështje të vogla por shtoi se të gjitha sistemet “po funksiononin”.
Menaxheri i programit Orionit, Howard Hu tha se NASA do të vazhdojë të testojë motorët dhe funksionet e tjera të Artemis, veçanërisht në kushtet e Hapësirës.
Misioni prej 4.1 miliardë dollarësh do të lejojë NASA-n të verifikojë mburojën e nxehtësisë së kapsulës gjatë rihyrjes në atmosferën e Tokpës. Nëse do të ketë sukses, katër astronautë do të jenë në gjendje të nisen me misionin e ardhshëm drejt hënës në vitin 2024, i cila do të pasohet nga një ulje në Hënë e dy astronautëve një ose dy vjet më vonë.