Nga Valdete Sinaj

Projekti për Portin e Ri të Durrësit ka marrë ditëve të fundit një vëmendje të veçantë nga media dhe politika, veçanërisht opozita shqiptare, e cila e konsideron marrëveshjen për zbatimin e projektit, një aferë të paprecedentë. E teksa një stuhi akuzash për grabitje, falje të pronës publike dhe cënim të interesit kombëtar ngrihet nga të katra anët, arsyeja të shtyn të kërkosh faktet.

Fakte që vijnë përmes marrëveshjes së firmosur mes palëve e tashmë të miratuar nga kuvendi i Shqipërisë, që vjen pas një viti të gjatë negociatash mes palëve. Le t’i marrim një nga një akuzat dhe të vërtetën që qëndron përkundër tyre, e zeza mbi të bardhë në marrëveshje.

1- Akuza: Qeveria po i fal investitorit arab pronën publike.

Në fakt, nëse lexon marrëveshjen dhe dokumentat e bërë publike, aty nuk parashikohet asnjë kalim pronësie e truallit nga pala shtet te investitori privat. Dokumenti nuk legjitimon as shitjen e ndonjë aseti publik, përkundrazi, asetet e infrastrukturës kritike portuale qartësisht mbeten pronë e shtetit. Për më tepër, projekti do të zhvillohet nga një shoqëri e përbashkët së cilës i është dhënë statusi i investitorit strategjik, në të cilën investitori privat është aksioner me 67 %, ndërsa shteti 33%. Është kjo shoqëri që do të çojë përpara projektin, ku shteti si aksioner është përfaqësues dhe mbrojtës i interesit publik, pasi zotëron të drejtën e VETO-s për vendimarrjet më të rëndësishme.

2- Akuza: Në projekt janë përfshirë kompani offshore.

Mohamed Alabbar është invesitori arab, propozues i projektit, një emër i njohur në zhvillimin e destinacioneve me famë globale si Downtown Dubai apo Burj Khalifa. Ai futet në projekt me kompaninë “Eagle Hills” si ortak i palës shtetërore.
“Eagle Hills Shpk” është krijuar nga “North East Real Estate Holdings Limited” person jurdik i Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo kompani e njohur edhe me emrin Symphony Global Holding Limited EBA, përbehet 40% nga shoqëria “ANH Investment Limited”, në pronësi 100% të Alabbar dhe 60% nga shoqëria Symphony Invetìstment LLC, kjo në pronësi të Alabbar dhe fëmijëve të tij.

Pra për sa kohë përfituesit fundorë të kompanisë janë të identifikuar, akuza se pas projektit fshihen kompani offshore, është një spekulim dhe abuzim politik.

3- Akuza: Projekti i hap rrugën pastrimit të parave.

Sërish, mjafton t’i referohesh marrëveshjes mes palëve për të kuptuar se akuza e mësipërme është e ndërtuar në mënyrë të trashë. Marrëveshja i njeh palës shtet të drejtën e VETOS në vendimarrjen e shoqerisë së përbashkët edhe mbi zërat e buxhetit. Çka do të thotë se nuk mund të kryhet financim nga palët e treta pa miratimin nga shteti shqiptar. Marrëveshja parashikon kështu mekanizma që garantojnë veprime kundër pastrimit të parave, mbështetur tek e drejta e shtetit për VETO.
Edhe në këtë rast, shteti shqiptar, pavarësisht se është aksionar minoritar, do të ketë mundësinë të veprojë si mbrojtës i interesit publik duke ushtruar të drejtën e VETO-s. Më herët gjatë ditës, ishte vetë investitori Mohammed Alabbal, ai që konfirmoi për mediat arabe se ky do të ishte projekti i tij më i mirë mes një sërë projektesh që kompania e tij ka zhvilluar në të gjithë botën.