Me shumë fat, vetëm në frymën e fundit, Man.United del me pikë të plota nga transferta përballë Fulham. “Djajtë e kuq” vuajnë më shumë se sa duhej, në një kohë kur kaluan shpejt në avantazh që në minutën e 14-të me Eriksen.
Ekipi i Ten Hag zhvilloi një pjesë të parë pozitive, kjo edhe për meritë të De Gea që i mbajti në lojë, ndërsa Eriksen ishte i pafat për të dyfishuar shifrat. Fulham u rikthye në lojë në minutën e 61-të duke barazuar shifrat me James. Deri në fund, sfida mbeti i hapur, ndërsa në shtesë, në minutën e 92-të ishte talenti Garnacho që realizoi golin e dytë dhe të fitores për Man.United.
Me këtë sukses, United e mbyll vitin në vendin e 5-të në kuotën e 26-të pikëve, tre më pak se Tottenham i vendit të katërt dhe 11 pikë larg kreut: “Kemi një bazë të mirë, po shkojmë në drejtimin e duhur. Jemi përmirësuar, por duhet të kemi një mentalitet më të mirë. Jemi bashkë, në sintoni, lojtarë, staf, drejtues, tifozë”, theksoi ndër të tjera Ten Hag pas ndeshjes.
Në sfidat e tjera të javës së fundit për këtë vit në Premier League, Arsenal mposhti në transfertë 2-0 Wolves ndërsa Man.City pësoi një humbje të rëndë 2-1 në shtëpi përballë Brentford, “topçinjtë” thellojnë diferencën në 5 pikë në raport me “qytetarët” e Pep Guardiola-s.
Tottenham mposhti Leeds me rezultatin 4-3 ndërsa Chelsea bie sërish, blutë pësuan një humbje minimale në transfertë përballë Newcastle. Broja zbriti në fushë si titullar, u zëvendësua në minutën e 73-të.