Nga Ylli Pata
Si Sali Berisha, ashtu edhe Ilir Meta, që prej marrjes së mandatit të tretë nga Edi Rama, e kanë identifikuar pluralizmin dhe opozitën ndaj kësaj mazhorance, tek vetja e tyre. E pikërisht, ky plan taktik nominal, ka sjellë prej më shumë se një viti një xhirim bosh të një ambjenti më shumë lart sesa poshtë të kësaj politike. Ecejakja e kamerave dhe alarmizmi i spikerëve live, kur Meta shkon në zyrën e Berishës si sot, apo kur vizitojnë panairin e librit, mund të mbushin hapësirën pa një ide programacioni, të televizioneve informative, por jo agorën politike të zhvillimeve në Shqipëri. Opozita, si koncept apo edhe në rastin konkret në Shqipëri, nuk mund të jetë një grup politik i humbur nga zgjedhjet, por një frymë, një ide, një grup njerëzisht që së bashku arrijnë të hartojnë e të komunikojnë një alternativë politike ndaj qeverisë. Sidomos në mandatin e tretë të Edi Ramës, dalja e një opozite jo thjesht ndaj tij, por si një freski politike në vend, është krejt më e thjeshtë se 4 vjet më parë. Pasi është dialektike ideja dhe fryma e ndryshimit. Nëse ai nuk ndodh, natyrisht që nuk ka opozitë, por një grup që nuk është realisht alternativa, e mund të quhet më shumë një establishment politik i pamundur për të sfiduar, jo thjesht mazhorancën, por kohën, të ardhmen, për të nxitur ndryshimin.
Dëshmi e këtij impasi, kësaj krize të rëndë identiteti, është pikërisht kjo atmosferë tragjikomike që ka ndodhur e po ndodh përnatë në një komunikim publik, të cilin pak arrijnë ta konceptojnë, se si janë jashtë kohe e objekti këta njerëz që çdo natë në panele rrahin ujë në havan. Si për datën e një proteste pa pikë lidhje ditën që në Tiranë mbahet samiti më i rëndësishëm që i ka ndodhur këtij vendi, paroditë me Tuqiditin e Arjan Çanit për ta sjellë autorin antik, si një frymëzues i protestës antiperëndimore, apo kumbullën e Vangjel Dules që sërish ju rikthye antikitetit. Kreu i PBDNJ-së, një aktor opozitar tashmë që prej 2017-s, e ka cilësuar Shqipërinë e sotme si Sparta e Lashtë, e ku Edi Rama na del një tip Leonidhe i kohëve të sotme. E si për dreq, më shumë se “opozita e rublave”, armiqtë më të egër të “Leonidhës së Surrelit” po tregohen persët e ditëve tona, stërnipat e Kserksit. I cili vrau mbretin e Spartës në betejën e pabarabartë të Termopileve, por e ktheu në një mit që frymëzoi njerëzimin për shekuj, madje edhe Vangjel Dulen sot, sa e Leon e ngratë e krahasoi me Edi Ramën. Por siç ka thënë me kohë një nga akademikët më të mirë shqiptarë, profesor Neritan Ceka, edhe ai politikan për një kohë të gjatë, që mos e ngatërroni historinë me politikën e ditës, ja vlen të diskutohen pikërisht këto zhvillime. E në këto zhvillime, akti më i fortë politik, edhe më drastik se 8 janari i dhunshëm, ishte 6 marsi i zgjedhjeve të pjesshme vendore. Akti, kur Sali Berisha dhe Ilir Meta vendosën me koshiencë të plotë që të ndërsenin opozitën kundër opozitës. Një logjikë; si në rrafshin afatgjatë-pra strategjik, si në atë afatshkurtër-pra taktik, që rezultoi katërcipërisht një rrugë qorre. Si në ato rrugicat kur hyn për të gjetur shteg për t’ju shmangur trafikut të madh, por ngec para një porte a një grumbulli makinash,e heq më keq që të dalësh.
I kanë quajtur e vazhdojnë t’i konsiderojnë politikanë të talentuar; si Sali Berishën dhe Ilir Metën, megjithatë, ajo që ata projektuan për 6 marsin, përditë e më shumë po përvijohet si një autogol politikisht fatal. E natyrisht në këtë shtrat diskutimi, objekti që më shumë duhet analizuar është Shkodra, vendi ku eksperimenti i “Shtëpisë së Lirisë” quhet më i suksesshmi. Edhe pse sot kanë kryetarin e bashkisë, si partia e Ilir Metës, pra PL-ja, ashtu dhe ajo e Berishës, pra pjesa që ja mori PD-së, në Shkodër janë në impas politik e organizativ. Nga 6 marsi e sot, dy grupimet që kanë fituar bashkinë, që është një arritje politike mjaft e rëndësishme, nuk kanë mbajtur asnjë nismë politike apo ngritur një ide për të transformuar qytetin, për të rigrupuar a perfeksionuar koalicionin atje. Ecejaket e Berishës dhe Metës në Tiranë janë pesë me hiç nëse nuk shoqërohen me ndonjë zhvillim të rëndësishëm në terren, ku së paku si ngjizje politike arritën të fitojnë ndaj Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Pavarësisht sesi ndodhi kjo, një formacion politik fitues, nis e shpalos librin politik të aleancës që rezultoi ngadhënjyese.
Po përse ndodhet në impas? Sepse rezultati i 6 marsit nuk ishte një fitore reale politike. Ndoshta nuk mund të konsiderohet aksident siç deklaroi Basha atëherë, por më shumë po duket edhe sot, se ishte një kalkulim rrethanash momentale. Ok, në politikë ndodhin edhe këto, sidomos kur respekton rregullat e lojës, megjithatë më pas kuptohet se çfarë realisht përbën ky rezultat apo zhvillim. Dëshmi e qartë e këtij impasi, është edhe reagimi që ka shkaktuar në publik dalja e emrave të mundshëm për kryetarë bashkie. Përveç kuriozitetit normal që shkaktojnë në publik, ata nuk kanë përfshirë fare atë që quhet reaksioni i “popullit të opozitës”. Sepse realisht nuk ka përfshirje në struktura, në bazë, aty ku funksionon realisht një parti apo aleancë politike. E cila nuk është një OJF apo think tank, që flet në panele e rrjete, por një organizatë me struktura kapilare në territor. E në territor, si Meta e si Berisha nuk çajnë dot, ngaqë nuk arrijnë dot të bashkojnë përrenjtë opozitarë, në lumin e madh të elektoratit që të derdhet në zgjedhje.
E ky impas, si faktor kryesor ka traumën, përçarjen e madhe që shkaktuan në mjedisin e opozitës më 6 mars. Ku cilësuan armiq, një trupë njerëzore, e cila ka rezultuar për 3 dekada një fuqi elektorale. Si për shembull dega e PD-së në Shkodër, e cila nuk ka lindur as tani e as pas 25 prillit. Por ka rezultuar një strukturë e sukseshshme, e cila ka mobilizuar nga zgjedhja në zgjedhje një elektorat që voton thellë për PD-në, edhe në krizë të madhe. Një strukturë që ka qenë karburant reaktiv për protestat e pambarimta si në kohën e Berishës së parë në opozitë, si në kohën e Bashës. Aq sa Berisha deklaronte dikur, se me demokratët e Bushatit ai rrëzon qeverinë. E pikërisht më 6 mars, por edhe më vonë, kur morën bashkinë, hoqën nga puna demokratët e strukturave që kishin rezultuar gjithmonë efektive. Rezistenca e kësaj pjese të PD-së në Shkodër, e natyrisht jo vetëm, është tharmi i opozitës që do të ngrihet në këtë vend. Pasi opozita, në radhë të parë është në territor, por natyrisht do të duhet të kryhet një ndryshim të madh për të rezultuar e suksesshme. E ky ndryshim nuk ndodh me komandë nga lart, as nga panelet apo zyra e Metës e Berishës, që pasi i shanë, dolën kundër, tani duan t’i bëjnë aleatë. Nejse, rrugët e konceptet e ngritjes së kësaj opozite janë objekt debatesh e diskutimesh, që me kohë do bëhen, por fakt është, se gropa që Berisha e Meta i hapën Lulzim Bashës, po rezulton një hendek ku kanë rënë ata vetë…