Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka pasur një telefonatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky mëngjesin e sotëm, raporton APA.
Sipas njoftimit nga Downing Street thuhet se ata kanë folur për tërheqjen e trupave rusë nga Kherson. “Liderët ranë dakord që çdo tërheqje ruse nga qyteti i pushtuar i Khersonit do të demonstronte përparim të fortë për forcat ukrainase dhe do të përforconte dobësinë e ofensivës ushtarake të Rusisë”, raporton Downing Street.
Sunak i tha Zelensky-t: “Ukraina duhet të vazhdojë të ketë kujdes derisa flamuri ukrainas të ngrihet mbi qytet”. Sunak gjithashtu “lavdëroi trimërinë e forcave të armatosura ukrainase dhe përsëriti mbështetjen e palëkundur ushtarake, ekonomike dhe politike të Mbretërisë së Bashkuar”. Ai konfirmoi gjithashtu se Britania do të vazhdojë të ofrojë ndihmë të mëtejshme ushtarake, duke përfshirë edhe 1000 raketa të tjera dhe më shumë se 25,000 veshje dimërore për ushtarët. Së fundmi, janë ngritur shqetësime nga zyrtarët ukrainas se Rusia mund të vendosë një “kurth” duke njoftuar tërheqjen e saj nga Kherson.