Nga Hervin Çuli
‘Tmerr’!!! E kapa veten duke pare “Big Brother”! Ndofta fjala “tmerr” është paragjykimi im për formate të këtij lloji!
Ndofta koha imponon atë që në shpesh e quajmë jashtë shijeve tona, larg ambicieve të artit të vërtetë, artit që mendoj unë dhe ca të tjerë, kuptohet!
Ndofta gabojmë!… Sot në fakt nuk i jap dot përgjigje konstatimit tim po ta shtroja si pyetje!
Nga miq dëgjova se aty brenda janë katër aktorë (jo pa emër dhe pa karrierë); është dhe Armando Kllogjeri, super artist, super tenor!
Ende pyes veten (vazhdon paragjykimi): pse është futur aty? Ai thotë për të promovuar Operan, jetën e tij!
E bëri dhe Katia Riccarelli në fund karrierës saj, me inteligjencën e organizatorëve për t’i dhënë një ekuilibër kulturor formatit.
Shumë mirë nëse ky ka qenë qëllimi i organizatorëve ne Shqipëri.
Por kur e pashë tenorin e madh të frustrohej nga një i paditur (fjala më e butë që gjeta), që thonë që është gazetar, qe i jepte leksione audience bashkëkohore maestros, ndërkohë që luante me çakmakun e trurit plloq që vetëm llap-llap por nuk dëgjon, pata dhembje për artistin e madh, që i përulur përballë kohës dhe lojës aty brenda, nuk ka mundësi që një të padituri të mjerë pa edukatë (përsëri fjala më e butë), t’i kthejë përgjigjen që meriton.
Shpesh fisnikëria e humb betejën përballë injorancës!
Ndaj nëse je futur aty, jepi Armando! Nejse, si kanë ardhur kohët, “Big Brother” nuk e zhbëjmë dot, është realitet!
Kemi mundësi, si ndjekës, të luftojmë për ta emancipuar! E ndjekin fëmijët tanë! S’ja vlen te thuash me audiencën dhe fuqinë popullore qe ka: ” Big Brother” s’më përket!
Kështu thosha dhe unë, Armando Kllogjeri ma ktheu mendjen!
Duhet të përshtatemi me kohën, dhe kudo qoftë të luftojmë për çdo dekik edukimi, në të kundërt, do jemi ca vëzhgues që dilemën e madhe të ndryshimit do e shohin thjeshtë si një vetëvrasje!