Nga: Mero Baze
Nuk kam ndonjë dëshirë të përfshihem në konspiracionin më të madh kombëtar të gjashtë muajve të fundit që ka lidhje me të zhdukurin Martinaj. Jam përpjekur të injoroj sa kam mundur lajmet rreth tij.
Por gjatë gjithë kësaj kohe ka një konstante politike kur flitet me të që nuk ndryshon.
Së pari të gjithë ata që dyshojnë se ka vdekur e duan që ta ketë vrarë Edi Rama.
Së dyti të gjithë ata që e duan të gjallë, e duan të gjallë ngaqë është i paaftë ta vrasë Edi Rama.
Dhe së treti, si për ti vënë kapakun, të dy opsionet e të njëjtit kamp pohojnë se ky ka një grup kriminal të fuqishëm, që nuk është me Partinë Socialiste dhe që i paska hequr shumë vota në Qarkun e Lezhës socialistëve në zgjedhjet e 25 prillit.
Kjo e fundit madje thuhet me një lloj triumfalizmi.
Tani është bërë legjendë që sa herë socialistëve u del ndonjë lidhje kriminale, me ndonjë deputet a kryetar partie, të gjithë çohen në këmbë, dhe thonë ai kushëriri që ka ai kriminel i ka blerë votat. Madje dhe kur nuk e ka gjë, por ka dalë në ndonjë foto a bisedë telefonike.
Dhe korrekte është. Influenca kriminale duhet shmangur tërësisht në zgjedhje. Askush nuk duhet të frikësojë të tjerët për të votuar, aq më tepër për grupe të fuqishme kriminale, të cilat kërkojnë të sundojnë pastaj në shkembim të favoreve.
Por është shumë interesante se si një grup kaq i fuqishëm kriminal, siç e vizatojnë vetë adhuruesit e tij publik, në listën e të cilëve sot pashë që kishte hyrë dhe Fatos Lubonja, kur flasin që në zgjedhjet e fundit ky grupi i ka hequr vota Partisë Socialiste, nuk e thonë më si krim, por e thonë si meritë. Madje madje, pikërisht për këtë shkak ngrenë dhe akuza se atë ose e ka vrarë Edi Rama, ose nuk e ka vrarë dot Edi Rama.
Pra këta nuk paskan ndonjë parim kundër përfshirjes së krimit organizuar në zgjedhje. Madje këta e quajnë meritë këtë nëse një grup kriminal e bën kundër Partisë Socialiste. Vetëm nëse konstatohet që ndonjë delikuent lagjeje apo katundi ka dalë në foto me ndonjë kandidat socialist është krim sipas tyre.
Do të mjaftonin skenarët për zhdukjen e Martinaj apo versionet paralele të mbijetesës së tij, dhe adhurimi me të cilin flitet për të dyja skenarët në qendër të së cilës po vendosin heroizmin se ai ka vjedhur vota kundër PS në Lezhë, për të kuptuar sa seriozisht e ka opozita betejën kundër krimit të organizuar. Thjesht po vuan nga organizimi për të gjetur kriminelë.