Një vajzë 5-vjeçare i shpëtoi jetën vëllait të saj të vogël pasi një aksident i rëndë me makinë vrau prindërit e tyre e duke lënë tre fëmijë të vegjël të bllokuar në makinë për më shumë se dy ditë në një pjesë të largët të Australisë Perëndimore rurale, raporton CNN .
Në një deklaratë, policia e Australisë Perëndimore tha se makina me të cilën po udhëtonte familja, tip “Land Rover Discovery” u gjet të martën në mëngjes në Kondinin, rreth 280 kilometra (174 milje) në lindje të kryeqytetit të shtetit Perth të Australisë.
Prindërit, Cindy Braddock, 25 vjeç dhe Jake Day, 28 vjeç humbën jetën në vendngjarje. Tre fëmijët e tyre i mbijetuan aksidentit, por mbetën të bllokuar në makinë derisa u zbuluan pas një njoftimi nga një familjar, i cili ishte i shqetësuar pasi nuk po arrinte të kontaktonte me familjen.
Familja prej pesë anëtarësh, duke përfshirë vajzën dhe dy vëllezërit e saj, të moshës 2 dhe 1 vjeç ishin raportuar të zhdukur një ditë më parë kur nuk arritën në festën e Ditës së Krishtlindjes, raportoi Nine News. I afërmi i familjes, Michael Read tha se vajza 5-vjeçare i shpëtoi jetën vëllait të saj më të vogël duke e liruar atë nga ndenjësja e fëmijës.
“Nëse nuk do të ishte 5-vjeçari që zhbënte shtrëngimin e sediljes së makinës së 1-vjeçarit, ai nuk do të ishte me ne sot,” tha Read.
“Në thelb ata ishin të ngecur në makinë për 55 orë në nxehtësi 30 gradë celsius. Askush nuk e di se çfarë kanë kaluar”, tha ai.
Fëmijët u dërguan në spital me dehidrim të rëndë, tha policia. Ata mbijetuan me lëndime jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të dalin nga spitali në ditët në vijim, raporton Nine News.