Argjentinë-Francë, finalja që do të shpallë fituesin e Botërorit në Katar të dielën do të jetë një ndeshje me konotacione të forta europiane. Mjafton të lëvizim nëpër emrat e të dy formacioneve për të kuptuar se si, për shembull, në Seleccion nuk ka lojtarë që luajnë për ekipet e kampionatit argjentinas.

Le të marrim formacionin e fundit të Scaloni: portieri Emilio Martinez vesh fanellën e Aston Villa (Angli), Molina atë të Atletico Madrid (Spanjë), Romero luan me Tottenham, Otamendi me Benfica (Portugali), Tagliafico te Lyon (Francë), De Paul te Atletico Madrid (Spanjë), Paredes me Juventus, Enzo Fernandez te Benfica (Portugali), McAllister me Brighton (Angli), Messi me PSG (Francë) dhe Julian Alvarez me Manchester City (Angli). Atletico Madrid dhe Bayern do të jenë dy skuadrat më të përfaqësuara në finalen e së dielës, me 4 lojtarë nga ‘Colchoneros’ (De Paul, Molina, Correa dhe Griezmann) dhe po aq nga bavarezët (Pavard, Upamecano, Coman dhe Lucas Hernandez, por ai është i dëmtuar).

Italia do të përfaqësohet nga Roma, Milani, Interi dhe Juventusi, me bardhezinjtë në gjendje të përfaqësohen me lojtarë në të dyja skuadrat (Rabiot në njërën anë, Paredes dhe Di Maria në anën tjetër). Giroud dhe The’o Hernandez do t’i mbajnë ngjyrat kuqezi në Francë, ndërsa për Interin është Lautaro Martinez(në pankinë?), me bashkatdhetarin Dybala që përfaqëson Romën (edhe ai i destinuar për stol). La Liga është më e përfaqësuar, me 16 lojtarë të thirrur (4 nga Atletico Madrid, 3 nga Seville dhe Real Madrid, 2 nga Betis, Villarreal dhe Barcelona).