“Një numër shumë i vogël i njerëzve përqafuan programin tim. Ishin më komodë të përqafonin programin e dikujt që është i implikuar në aferën e inceneratorëve dhe që bashkëshortja e tij ka përfituar fonde nga Soros dhe Erion Veliaj, se sa të përqafojë një projekt që për mua është projekti që i duhet Tiranës për zhvillimin në 10 vite”.
Kështu deklaroi Adriana Kalaja për Ora News, pas votimeve për primaret.
Deklarata e saj i referohej Belind Këlliçit.
Por disa orë më pas, edhe pse e ka me zë dhe figurë deklaratën e saj, Kalaja ka publikuar një deklaratë, në të cilën thotë se deklaratën e saj ia kanë shtrëmbëruar Rama me Veliajn.
“Media dhe portale të sponsorizuara nga dyshja Rama-Veliaj, ata që shembën Teatrin Kombëtar si banditë në mes të natës dhe Covidit, kane filluar të manipulojnë publikun për “një sulm” që paskam bërë unë ndaj z. Belind Këlliçi duke keqinterpretuar intervistën time në një media.
Në këtë pikë, duke falenderuar çdo demokrat dhe simpatizant që më votoi, si dhe duke e konsideruar këtë proces si një hap të rëndësishëm demokracie, jam e detyruar të sqaroj publikun si më poshtë:
1. Për mua Belind Këlliçi është fituesi moral dhe real i kësaj gare.
2. Ashtu siç kam deklaruar do pranoj këtë rezultat që kanë vendosur demokratët dhe simpatizantët.
3. Jam e gatshme të kontriboj në krah të fituesit për të mundur Çibanin Erion Veliaj më 14 maj.
Të gjithë bashkë për të shembur sektin monist kriminal të Rilindjes.
Bashkë fitojmë Tiranën dhe Shqipërinë.
P. S. Sado të përpiqet regjimi dhe shrlatanët që i shërbejnë, nuk e bëjnë pis dot këtë proces historik”, shkruan ajo.