Nëse do të kuptosh mosbindjen në një shoqëri, ku të gjithë binden, do të duhet të kuptosh të kundërtën, që është tejet e vështirë, pasi bota e sotme politike autokratike, sidomos në vendet e Ballkanit Perëndimor, është një e tillë. Dhe, karikaturisti i njohur Arben Meksi, e bën përshkrimin gati me një art të veçantë si karikatura, duke përdorur me racionalitet elementet e kubizmit. Përdor format e drejta trekëndore për të identifikuar qeniet, të bindura nën një autoritet të tillë, që në abstragim i shkojnë piramidës së fuqisë (me sfondin e piramidave të vërteta të Gizës), ku qenia e identifikuar me formën e kundërt (me piramidën kokëposhtë) është neutralizuar. Kubizmi bashkëjeton në këtë skicë si gjetje me autokracinë e mendimit, ku më i dobëti bindet ose më saktë nënshtrohet dhe kur nuk bindet.

Në fakt, bindja konsiderohet si një lloj forme e ndikimit shoqëror ku një individ vepron dhe ndërmerr aksione në përgjigje të një urdhri të drejtpërdrejtë nga një instancë, që përfaqëson zakonisht figurën e autoritetit. Supozohet, si ndodhi në rastin e Ajhman se pa pasjen e një urdhri të tillë, personi nuk do të kishte vepruar në këtë mënyrë. Të paktën, Ajhman e tregoi sipas mënyrës së vet këtë në gjyqin e Jeruzalemit, duke u kuptuar vetëm nga Hanhah Arendt, që do t’i jepte më vonë jetë konceptit të “Banalitetit të së keqes”.

Por në rastin e punës së Meksit të titulluar si “Bindja e mosbindjes” përshfaqet mënyra sesi individi i bindet fuqisë, shpesh duke flirtuar, kurse në rastin e zgjedhjes të kujdesshme të karikaturistit të njohur, si një mënyrë përshtatje që ka humbur kuptimin e individualitetit dhe dinjitetit. (Ben Andoni)