Trajnerit italian, Antonio Conte, nuk i duket e drejtë që kampionati (Premier League) të rifillojë vetëm tetë ditë para përfundimit të Botërorit. Tekniku i Tottenhamit e nënvizoi këtë në një konferencë për shtypin në prag të “Boxing Day”, ku skuadra e tij do të përballet me Brendfordin, në transfertë. “Unë nuk jam shumë i lumtur, megjithëse duhet të jem i lumtur sepse 12 lojtarë të mi ishin në Katar dhe kjo do të thotë se ne jemi në drejtimin e duhur për të provuar të fitojmë diçka. Por tani nuk është kaq e lehtë, sepse gjendja fizike nuk është e nivelit të lartë”.
Conte ka lënë të kuptohet se do të përzgjedhë vetëm lojtarët që nuk janë përfshirë në Botëror për ndeshjen e radhës, pasi tashmë ka njoftuar se dy elementë që ishin në finale, portieri francez Hugo Lloris dhe argjentinasi Cristian Romero, nuk do të luajnë: “Lojtarët që kanë qenë këtu kanë punuar për katër javë dhe tani janë në gjendje të shkëlqyer fizike dhe tani jam i sigurt se janë më mirë se ata që kthehen nga Katari”.
Rodrigo Bentancur nuk do të jetë në fushë për shkak të skualifikimit, por uruguaiani po përballet edhe me një problem të lehtë muskulor. Richarlison, i cili u dëmtua me Brazilin në Katar, do të jetë jashtë për të paktën një muaj, ndërsa problemi i tendinit të Lucas Mouras vazhdon.