E mohoi gjatë Kupës së Botës në Katar transferimin te Al-Nassr në Arabinë Saudite, mirëpo së fundmi duket se Cristiano Ronaldo është “joshur” nga milionat e arabëve. Sipas asaj që raporton prestigjiozja spanjolle Marca, CR7 është këto ditë në Dubai së bashku me familjen e tij dhe janë në hapat e fundit të mbylljes së marrëveshjes me klubin e Al-Nassr.

Sipas medias spanjolle, 37-vjeçari do të përfitojë një kontratë që i garanton plot 175 milionë paund në sezon, ndërsa një mundësi për të shtuar të ardhurat janë edhe reklamat me CR7 që do të ketë në përfitimin e tij të gjitha kontratat komerciale. Thënë shkurt, Ronaldo do të shndërrohet në një “sheik” të mirëfilltë para fundit të vitit 2022 teksa oferta është e parezistueshme aq më tepër kur Ronaldo e di fare mirë interesin e ulët nga top klubet europiane për të.

Al-Nassr është një nga klubet më të lavdishme në Arabinë Saudite teksa janë shpallur nëntë herë kampionë me triumfin e fundit që erdhi në vitin 2019 teksa në 2020 dhe 2021-shin fituan vetëm Superkupën dhe jo kampionatin. Skuadra e Al-Nassr drejtohet nga një emër i njohur i trajningut botëror siç është Rudi Garcia që më herët ka pasur eksperienca të rëndësishme në Europë me Romën, Marseille apo Lyon.