Në qendër të vëmendjes është e ardhmja e Cristiano Ronaldos. Portugezi i angazhuar aktualisht në Botëror, në fakt është pa skuadër pas ndarjes me Manchester United dhe e ardhmja e tij vazhdon të diskutohet. Lajmi më i bujshëm erdhi nga “Marca”, sipas së cilës CR7 ka arritur një marrëveshje me Al-Nassr, me një pagë faraonike prej 200 milionë euro në sezon.
Megjithatë, shumë e kanë mohuar lajmin, duke e cilësuar thjesht si “fake news”, me Ronaldon të fokusuar 100% në Kupën e Botës. E dhëna se lajmi mund të jetë i rremë ka ardhur nga motra e kampionit portugez, Katia Aveiro, e cila ndodhet në Katar së bashku me Ronaldon.
Në fakt, motra e CR7 ka pëlqyer një postim në Instagram, që mohonte marrëveshjen e arritur mes klubit saudit dhe pesë herë fituesit të “Topit të Artë”. Në postim ka lënë gjurmën e saj edhe Alicia, mbesa e futbollistit. E gjitha kjo shfaqet si një mohim i gjithë kaosit mediatik nga familja e Cristiano Ronaldos.