Kylian Mbappe kërkon të largohet nga PSG dhe arsyeja është e thjeshtë, Lionel Messi. Mediat spanjolle aludojnë për vendimin e marrë nga 24-vjeçari, sipas të cilave, finalja e Kupës së Botës e fituar nga argjentinasi ka lënë një shije shumë të keqe te sulmuesi që nuk dëshiron të jetë më shok skuadre me fituesin e 7 Topave të Artë.
“Mundo Deportivo” raporton se Barcelona e ka vënë në shënjestër sulmuesin francez duke përfituar edhe nga pakënaqësitë që ai ia ka shprehur klubit. Pika që duket se “mbushi gotën” ishte rinovimi i Messit me PSG edhe për një sezon tjetër, ndërsa Mbappe ka vendosur të bashkohet me katalanasit pasi nuk preferon Realin për shkak të sulmeve virtuale të tifozëve “Los Blancos” pas rinovimit që bëri me PSG.
Një rol të madh në këtë mes ka edhe politikani katalanas Manuel Valls i cili ka nisur të ndërmjetësojë me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili detyroi Mbappe të qëndronte ne Paris vetëm disa muaj më parë. Në diskutimet për një transferim të mundshëm të Mbappe në Katalonjë mund të bëhet pjesë edhe sulmuesi francez i Barcelonës, Ousmane Dembélé.