Argjentina arriti në finalen e Kupës së Botës 2022, të martën në mbrëmje. Fillimi i Messit me shokë në turne nuk mund të kishte shkuar më keq. Skuadra e Lionel Scalonit hyri në garë si një nga favoritët, por u trondit nga Arabia Saudite në ndeshjen e tyre hapëse në grup.Megjithatë, bardhekaltrit kanë reaguar shkëlqyeshëm, duke marrë fitore kundër Meksikës, Polonisë, Australisë dhe Holandës për të arritur në katërshen e fundit. Më pas, ata shkatërruan Kroacinë në ndeshjen gjysmëfinale. Goli i shkëlqyeshëm i Lionel Messit dhe dopieta e Julian Alvarez i dhanë Argjentinës fitoren 3-0.Tani do të përballet me Francën në finale, pas fitores së transalpinëve 2-0 ndaj Marokut. Tifozët janë turrur të vënë baste për atë që mendojnë se ka më shumë shanse për ta fituar trofeun më 18 dhjetor. Njëri prej tyre ka përjetuar makthin, duke menduar se kishte vënë bast se Argjentina do ta fitojë Kupën e Botës, që organizohet prej FIFA-s.Përdoruesi i Twitter @LukeCarey1881 përdori platformën sociale për të ndarë një bast të vënë me një prej miqve të tij. Tifozi mendoi se ata kishin vënë bast 38 £ për Argjentinën, për ta fituar turneun, me koeficentin 28/1. Basti “përkthehej” në 1.064 £ fitim, nëse do të ishte i vlefshëm. Ky tifoz, pa dyshim ka qenë gjithnjë e më i emocionuar ndërsa Argjentina përparonte në “Katar 2022”.Por, vetëm disa ditë para finales, Luke dyshoi mbi shanset (kuotën) bujare dhe hodhi një vështrim në bastin e vendosur. Dhe çfarë rezultoi? U shokua, sepse zbuloi se shoku i tij kishte vënë bast që Argjentina do të fitonte Kupën e Botës në regbi (rugby) në vend të Kupës së Botës FIFA.Krahas një pamjeje të bastit të vënë në Twitter, ai shkroi: “Shoku im mendoi se kishte vënë bast Argjentinën për të fituar Kupën e Botës gjatë gjithë turneut, mendova se shanset ishin shumë të mira për të qenë të vërteta, por rezulton se ai ka vënë bast Kupën e Botës në Rugby”.Kjo duhet të ketë qenë zemërthyese për tifozin, kur e mori vesh. Tweet-i është bërë “viral”, pasi ka tërhequr mbi 37 mijë pëlqime dhe 2.5 mijë ‘retweet’ në kohën e shkrimit. Tani makthi i tij është nëse do ta fitojë Argjentina, Kupën e Botës në regbi. Bardhekaltrit nuk janë aq të mirë në regbi, sa në futboll, për fat të keq.Ata renditen në vendin e tetë në botë. Pra, shanset që ata të fitojnë një Botëror ku marrin pjesë fuqi të mëdha, duke përfshirë Australinë dhe Zelandën e Re, janë të pakta. Megjithatë, ata kanë një shans në dorë për të fituar, vetëm se duhet të presin gjatë, ngaqë Botërori i Regbi  fillon në Francë në shtator 2023.