Mbrëmjen e djeshme në natën e tretë të edicionit të 61-të të Festivalit të Këngës në RTSH, këngëtarët konkurrentë kënduan me një artis shoqërues. Këngëtarja e njohur, Elsa Lila riktheu këngën e saj “Pyes Lotin” por këtë herë në bashkëpunim me reperin Capital T.
Pavarësisht se kënga u prit mirë nga publiku dhe mori duartrokitje të shumta, kompozitori i saj, Valentin Veizi ka reaguar i indinjuar duke e konsideruar ‘të shëmtuar’. Ai vazhdoi më tej duke thënë se dy këngëtarët i kishin bërë ‘pis’ këngën duke e rikthyer.
“Sot kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizantë të muzikes sime te indinjuar ne lidhje të një varianti të këngës “Pyes Lotin” që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë Festivali 61 i RTSHse, duke qenë se skam patur mundesi të ndjek festivalin e kërkoj edhe e dëgjoj në YouTube kengën, me bën pershtypje (indinjuan) dy gjëra : e para nuk e di kush ka mare guximin e ka pasur kurajon te ma bëj “pis” këngën time, mirë që nuk kanë aftesine profesionale për të “rifreskuar” apo të sjellin ndryshe një këngë ,por këta nuk kanë as edukaten edhe as respektin te paktën të kontaktojene për të marrë lejen e autorit”-shprehet kompozitori i njohur.
Ai tha se këngëtarët nuk i kishin kërkuar leje për ta rikënduar këngën, ndërsa kërkoi që RTSH ta heqë nga çdo lloj transmetimi.
“Së dyti :Ti (kushdo) mund të rikëndosh një kenegë, por nuk ke asnjë të drejtë të ndryshosh e të denigrosh këngën pa lejen e autorit ,(kompozitorit). Me lini tja u them troc edhe njëherë Liles edhe Capitalit, modeli i këngës qe ju sollët është modeli se si mund të denigrosh ,shperfytyrosh një kengë aq te bukur si kenga “Pyes Lotin” , prandaj do ti lutem Radio televizionit Shqiptar ta heqi nga cdo lloj transmetimi këtë variant të shemtuar!”-përfundon Veizi në reagimin e tij.