Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin. Presidenca turke ka bërë të ditur se Erdogan shpreson që kriza ukrainase do të zgjidhet sa më shpejt.

“Erdogan i shprehu dëshirat e tij të sinqerta Putinit për përfundimin e luftës Moskë-Kiev sa më shpejt të jetë e mundur”. Gjatë bisedës mësohet se ata kanë shkëmbyer mendime mbi disa çështje, duke përfshirë korridorin e grurit të Detit të Zi, luftën kundër terrorizmit dhe lidhjet dypalëshe. Erdogan tha se mbi 13 milionë tonë drithë kanë arritur tek njerëzit në nevojë përmes përpjekjeve të përbashkëta deri më tani sipas marrëveshjes së eksportit të grurit të Detit të Zi.

Turqia është vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i cili çoi në rifillimin e marrëveshjes së grurit të 22 korrikut. Ankaraja i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës që filloi në shkurt.