Hetimet për skandalin që ka përfshirë Juventusin vazhdojnë dhe dita ditës po dalin fakte të tjera që hedhin më shumë dritë drejt së vërtetës. Në përgjimet që i janë bërë drejtuesve të “Zonjës së Vjetër” ka dalë në skenë edhe emri i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare dhe të Romës, Marash Kumbulla.
Ky i fundit përmendet në bisedat e zhvilluara nga Fabio Paratici, Federico Cherubini dhe Andrea Agnelli për sa i përket objektivave që Juventusi kishte në merkato. Marash Kumbulla ishte një prej emrave që drejtuesit bardhezi kishin në listën e lojtarëve të talentuar dhe ndiqej me vëmendje për t’u afruar në skuadër.
Përkrahë emrit të Marash Kumbullës, nga Juventusi po ndiqeshin me vëmendje edhe Erling Haaland në kohën kur aktivizohej për Salzburg, Nicolo Zaniolo, Sandro Tonali e Dejan Kulusevski me këtë të fundit që përfundoi më pas me fanellën bardhezi.
Gjithashtu përgjimet kanë zbuluar edhe një listë me lojtarët të cilëve i skadonte kontrata në fundin e sezonit. Midis tyre dy emrat kryesorë ishin Gigio Donnarumma, përpara transferimit te PSG dhe Arkadiusz Milik, i cili u transferua në Torino në verën e kaluar në formë huazimi.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu edhe disa shkëmbime që Juventusi është përpjekur të bëjë me klubet e mëdha europiane. Me Tottenhamin, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” ishin pranë shkëmbimit De Sciglio- Danny Rose, ndërsa Emre Can do të shkëmbehej me Leandro Paredes në një tratativë që do të vlerësohej 60 milionë euro. Një tjetër tratativë shkëmbimi ishte edhe ajo midis Donny Van de Beek me Weston McKennie e vlerësuar për 50 milionë euro dhe e propozuar nga klubi anglez, por që në fund ka qenë vetë Juventusi që e ka refuzuar kërkesën.