Champions League në njërën anë dhe milionat e sheikëve arabë në krahun tjetër: Cristiano Ronaldo do të zgjedhë një ekip të ri për pjesën e mbetur të sezonit. “Ai dëshiron të luajë ende në nivele të larta, kështu që nuk besoj se do transferohet në Arabi”, deklaroi Carlo Ancelotti në lidhje me goleadorin portugez.

Agjenti i CR7, Jorge Mendes ka biseduar me shumë klube gjatë kësaj periudhe, madje edhe me Eintracht Frankfurt, kampionët në fuqi të Europa League. Skuadra gjermane siguroi kualifikimin në raundin e 1/8-vë në Champions League dhe do të sfidojë italianët e Napolit për një biletë në çerekfinale.

“Kam ndjesinë se Cristiano iu ofrua të gjithë skuadrave pjesëmarrëse në Champions League, gjithashtu edhe neve”, zbuloi Alex Hellmann, anëtari i bordit të klubit gjerman. Pesë herë fituesi i Topit të Artë ndodhet në një situatë paradoksale, pasi shumë skuadra që garojnë në Champions kanë refuzuar firmën me të, mes tyre tashmë edhe gjermanët e Eintrachtit.