Hervé Renard do ta kujtojë gjithmonë Kupën e Botës në Katar. Po kështu, të gjithë do ta kujtojnë atë gjithmonë. Po flasim për trajnerim francez të Arabisë Saudite, i vetmi që e ka mposhtur Argjentinën në këtë kompeticion fundviti, në debutim, përpara se bardhekaltrit të merrnin “yrysh” dhe të arrinin në finale. Megjithatë, disfata në ndeshjen e parë të “Katar 2022” ishte një kryevepër taktike e trajnerit në fjalë, i cili në prag të ndeshjes Francë-Argjentinë tregon se si arriti ta ndalonte njeriun më vendimtar: Leo Messin.
Argjentina luajti mirë dhe e mbylli me epërsinë minimale pjesën e parë. Në pjesën e dytë ndodhi e paimagjinueshmja. Arabia Saudite u rikthye në fushë dhe e ktheu kombëtaren e Messit me kokë poshtë, përmbysi rezultatin përfundimtar. Një apoteozë që pa një zgjedhje taktike të rrezikshme, por të suksesshme, të aftë për t’i frustruar sulmuesit argjentinas. Merita ishte trajnerit Renard, i cili gjatë pushimit të mesit të ndeshjes u përqendrua te krenaria e lojtarëve të tij, duke i inkurajuar dhe duke iu treguar se cilin kundërshtar të ndalonin: Leo Messi.
Pak javë pas asaj arritjeje, Renard donte të diskutonte meritat, duke treguar për “L’Equipe” se si arriti ta frenonte Argjentinën, sot finaliste: “E pranoj se u përqendrova ekskluzivisht tek Messi dhe si ta ndaloja atë. Kisha mobilizuar anën e majtë të skuadrës dhe gjatë pushimit mes dy pjesëve, fjalimi im fokusohej kryesisht nga krahu im majtas dhe një mesfushor. Ata ishin shumë larg Messit, ndërsa kisha organizuar gjithçka në mënyrë që të kishte presion të menjëhershëm kur ai merrte topin. Ata duhej të hidheshin mbi të”.
Studimi taktik i Renardit krijoi ‘kafazin taktik’ rreth Messit, tashmë pikëmbështetje gjithnjë e më evidente e lojës së argjentinasve: “Duhet ta mbani atë 35-40 metra larg portës. Ai kurrë nuk duhet të ketë liri veprimi, Argjentina përdor aq shumë thellësinë në pasime. Theksova linjën mbrojtëse 5 lojtarësh, që luajti me pozicion jashtë loje sistematike për të gjithë 90 minutat. Një taktikë shumë e rrezikshme, por na dha fitoren. Franca, gjithashtu i ka letrat në rregull për ta bërë këtë”.
Por për Renardin, lëvizja “mat” ishte mbi të gjitha: nëse është e vërtetë që ai orientoi ekipin e tij në kontrollin asfiksues të Messit në fushë, është po aq e vërtetë që arriti t’i hiqte burimin kryesor të frymëzimit ‘Pleshtit’; Rodrigo De Paul. Ish-lojtari i Udinese konsiderohet pothuajse unanimisht një nga mesfushorët më të mirë të të gjithë turneut dhe për Scalonin është kthyer në një element themelor në mesfushë. Renard kishte intuitën për ta kuptuar menjëherë këtë. Duke e bllokuar atë, edhe Messi ndalon:
“Ju duhet të analizoni Messin në këtë kontekst, për të kuptuar zonën e tij të ndikimit dhe për të parë se si topat arrijnë tek ai. Kështu që e kuptova që duhej të shtypnim De Paul mbi të gjitha. Për mua, ai është një nga argjentinasit më të mirë dhe një nga më të dobishmit për ta vënë Messin në kushtet më të mira, për të qenë vendimtar”.
Renard ia doli, të tjerët nuk patën të njëjtën intuitë dhe u dorëzuan. Franca, megjithatë, në funksion të së dielës ka gjetur një aleat (dhe një kartë) më shumë.