Louis van Gaal ka dhënë dorëheqjen si trajner i Holandës pas humbjes me penallti ndaj Argjentinës në çerekfinalet e Kupës së Botës 2022.

Ikona holandeze u rikthye për një mandat të tretë në krye të kombëtares në gusht të vitit të kaluar por mesa duket nuk te mbajë më këtë post. Nga 1 janari, pritet që skuadrën holandeze ta drejtojë Ronald Koeman.

U duk sikur Holanda kishte shanse për fitore pasi barazoi ndeshjen me Argjentinën në 120 minuta lojë, por humbi gjatë penalltive.

Pas lojës së rregullt ndeshja u mbyll 2-2, me skuadrat që në shtesën prej 30 minutash nuk gjetën më gola. Fati i duelit u vendos nga “ruleta ruse”, me djemtë e Scalonit që u treguan më të saktë nga pika e bardhë e penalltive (3-4). Tanimë Argjentina gjen në gjysmëfinale Kroacinë, me ballkanasit që kaluan po pas penalltive Brazilin.

Van Gaal është trajneri i tretë që jep dorëheqjen pas humbjes në ndeshjet e Botërorit 2022. Trajneri i Brazilit, Tite, konfirmoi pas humbjes së së premtes në çerekfinalen me Kroacinë në Kupën e Botës FIFA 2022 se ai është larguar pas gjashtë vitesh në krye të ‘Seleçao’ .

Edhe Spanja njoftoi largimin e Luis Enrique si trajner i ekipit kombëtar të enjten pas humbjes shokuese me penallti të martën ndaj Marokut në Kupën e Botës në Katar.