Kualifikimi në çerekfinalet e Botërorit i ka dhënë fund heshtjes së Kilian Mbape në Katar. Sulmuesi francez kishte refuzuar deri tani t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, por më në fund ka vendosur të shfaqet para tyte.
“Di që kishte shumë pyetje se pse nuk flisja. Nuk kishte asnjë gjë personale me gazetarët dhe me njerëzit. Por ishte thjesht nga fakti që kam këtë nevojë që të përqendrohem te turneu dhe kur dua të përqendrohem te diçka, duhet ta bëj në 100% e të mos shpenzoj energji në gjëra të tjera. Kjo është arsyeja se pse nuk doja të përgjigjesha për mediat.
Pak kohë më parë mësova se Federata do të merrte gjobë nga FIFA për këtë arsye. Unë angazhohem që ta paguaj personalisht, Federata nuk duhet të paguajë asgjë për një vendim që është plotësisht personal.
Ky Botëror padyshim që është një fiksim për mua, është turneu i ëndrrave të mia, kam mundësinë që ta luaj, kam ndërtuar të gjithë sezonin në bazë të këtij kompeticioni si fizikisht, ashtu edhe mendërisht. Desha që të vija këtu i përgatitur dhe për momentin jam mirë, por jemi ende larg objektivit që ne i kemi vënë vetes dhe që unë i kam vënë vetes, që është të fitoj”, tha Mbape para gazetarëve.