Donald Trump e ka quajtur një ‘gjueti shtrigash’, por pas 18 muajsh seanca me prova dhe dëshmitarë mbi kryengritjen e 6 janarit në Capitol Hill, komisioni hetimor parlamentar votoi unanimisht që ish-presidenti të përballet me 4 akuza.

“Çdo president në historinë tonë ka mbrojtur transferimin e rregullt të pushtetit përveç njërit. 6 janari i 2021-shit shënoi herën e parë kur një president amerikane refuzoi detyrën kushtetuese për të transferuar pushtetin në rrugë paqësore. Asnjë person që sillet në këtë mënyrë nuk mund të mbajë sërish poste të larta. Ai nuk është i përshtatshëm për to”, tha Liz Cheney, nënkryetare e komisionit hetimor të 6 Janarit.

Në këndvështrimin e komisionit, në mënyrë të paligjshme Trump komplotoi rrëzimin e rezultatit të zgjedhjeve të 2020-s. Ai vendosi se ka prova të mjaftueshme që ish-presidenti nxiti rebelimin.

Provat në fjalë i kanë kaluar Departamentit të Drejtësisë dhe tani i takon këtij institucioni të vendosë nëse të procedojë ish-kreun e shtetit, edhe pse nuk është i detyruar të zbatojë rekomandimin.

Në tërësi, mbi 900 persona janë akuzuar në lidhje me kryengritjen në Capitol Hill. Muajin e kaluar, Trump deklaroi synimin e tij për të garuar për republikanët në zgjedhjet e 2024-s dhe shprehu bindjen se do të fitojë. Por së fundmi rrethanat kanë shkuar kundër tij.

Krahas telasheve për kryengritjen, një gjykatë e Nju Jorkut dënoi dy kompani të Trump për mashtrime financiare.